Botë
80 vjet nga bomba e parë atomike, ceremoni përkujtimore në Japoni për Hiroshimën
06.08.2025 16:37
Në Hiroshimë, në pjesën perëndimore të Japonisë...

Në Hiroshimë, në pjesën perëndimore të Japonisë, sot u shënua 80-vjetori i hedhjes së bombës së parë atomike mbi qytet, sulmi më vdekjeprurës me armë bërthamore në histori.
Ceremonia përkujtimore nisi në mëngjes me një minutë heshtje, vendosje kurorash me lule dhe fjalime nga përfaqësues të lartë shtetërorë, iu dha nderimi 140.000 viktimave që humbën jetën nga shpërthimi shkatërrues.
"Isha i groposur, doja të bërtisja: 'Mami më ndihmo!', por nuk munda... E mbaj mend gjithçka edhe tani... E dini, derisa ekziston armë bërthamore, nuk do të ketë paqe në botë", u shpreh i mbijetuari
"Flokët e djegura, fytyra e nxirë si qymyri, rrobat të shqyera... njerëzit që ecnin nëpër stacionin Urakami dukeshin kështu... dhe të gjithë kërkonin ujë... Edhe pse jam e moshuar, dua të flas për këtë, ta ndaj tragjedinë e luftës me sa më shumë njerëz", theksoi e mbijetuara.
Kryeministri japonez Ishiba vendosi lule në monumentin kushtuar viktimave. U lëshuan dhjetëra pëllumba të bardhë si simbol i paqes.
"Si kryeministër, dua të shpreh lutjet e mia të sinqerta për shpirtërat e atyre që humbën jetën në bombardimin atomik", u shpreh kryeministri Japonez, Shigeru Ishiba.
Në përvjetorin e 80-të, qindra protestues u mblodhën duke kërkuar që bota të çlirohet nga armët bërthamore.
"Kemi ardhur të vajtojmë viktimat e bombardimit atomik dhe t’i kundërvihemi kryeministrit japonez i cili përkrah posedimin e armëve bërthamore si mjet frikësimi, ndërsa është i pranishëm këtu në këtë përkujtimore... Apelojmë që përkujtimi të mos shndërrohet vetëm në lavdërim të viktimave si heronj, por të luftojmë kundër luftës dhe armëve bërthamore", theksoi protestuesi.
"Ajo që duhet të bëjmë është të ndalim luftën në Ukrainë dhe të sigurohemi që Japonia të mos përfshihet në të... Njerëzit nga e gjithë bota duhet të angazhohen së bashku për ta ndalur luftën... Po ashtu, duhet të ndalen masakrat në Izrael", u shpreh protestuesi.
Tre ditë pas shpërthimit në Hiroshima, edhe qyteti i Nagasakit u shkatërrua plotësisht nga një bombë atomike, me mbi 70 mijë viktima.
Më 15 gusht, Japonia u dorëzua, me çka përfundoi Lufta e Dytë Botërore.
ARMEND MURESLI
