KRIZA POLITIKE REFLEKTOHET NË EKONOMI

Pritet ulje e fuqisë blerëse, investimeve të huaja dhe punësimeve

18.05.2015 17:29

Kriza politike nga shtatori pritet që të shpërthejë në fushën e ekonomisë...

Sipas njohësit të çështjeve ekonomike Visar Ademi kriza ekonomike do manifestohet në dy aspekte, e para duke e ulur fuqinë blerëse të qytetarëve dhe e dyta duke ngrirë investimet e huaja në vend.

Aspak lehtë nuk do ta kenë as kompanitë e vendit. Pritet të ulet niveli i shitjes së mallrave si brenda ashtu dhe jashtë shtetit.

“Investitorët e brendshëm duke e pasur të ulur konsumin e brendshëm do të kenë shum më pak para në dorë që të investojnë tek kapacitetet ekzistuese të kompanive të tyre dhe do të ketë shumë më pak vende të reja të punës. Kjo do të ndikojë shumë ndjeshëm në ekonomi dhe mendoj se do të ketë një lloj krize ekonomike që do të reflektohet pas pushimeve verore” – tha eksperti ekonomik, Visar Ademi.

Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore bëjnë të ditur se kriza po reflektohet edhe në nivel lokal.

“Kemi një situatë ku ngecim në investimet kapitale të komunave të cilat i ndjen qytetari i rëndomtë e që në vete pastaj ngrejnë një zinxhir që nxit investimet lokale që pastaj do të kishin ndikuar edhe në vet standardin e qytetarit“ – tha kryetari i OEMVP-së,  Menderez Kuçi.

Dalja nga kjo situatë sipas ekspertëve të ekonomisë është krijimi i një modeli të ri të funksionimit të ekonomisë i cili midis tjerash do të parashikonte rimëkëmbjen e buxhetit që është e varur nga kreditë e huaja.

“Çdo lloj qeveri e re ta ulë borxhin publik në masën e lejueshme të themi në masën e 60% të prodhimit kombëtarë bruto, të subvencionojë kompanitë lokale, ta nxisë sipërmarësinë dhe të mundohet të thith investitorë të huaj të cilët do blejnë nga furnizuesit lokal por edhe do shesin ne vend. Dmth do jenë të integruar në vend duke krijuar vende të reja të punës. Vetëm në këtë mënyrë mundet të zbutet efekti negativ që është krijuar dhe po krijohet në vitin e fundit” – tha eksperti ekonomik, Visar Ademi.

Sipas ekspertëve e rëndësishme për ekonominë e vendit është që qeveria të ndërpresë investimet infastrukturore të cilat vetëm e thithin ekonominë pa i dhënë kësaj fushe kurrfarë kundërefekti pozitiv. (Meral Ismaili, TVM2)