Maqedoni
Reagime politike, VLEN: 111 shqiptarë të punësuar në dy ditë
07.08.2025 15:50
Përplasjet politike për punësimet në administratë...

Përplasjet politike për punësimet në administratë, realizimin e investimeve kapitale dhe ndikimin e Serbisë përmes Telekomit, vazhdojnë të dominojnë diskursin publik. VLEN deklaroi se për vetëm pak ditë janë punësuar 111 shqiptarë në institucione shtetërore, si rezultat i siç e quan I përfaqësimit të drejtë dhe politikave të tyre konkrete.
“Këto janë rezultatet konkrete gjatë ditëve të fundit: 35 të punësuar në Postën e Maqedonisë. 17 në Ministrinë e Bujqësisë. 27 në Fondin Shëndetësor. 9 në Agjencinë për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural. 23 në Institutin për Mjekësi të Transfuzionit. Ky është përfaqësimi që VLEN e garanton”, thuhet në komunikatën e VLEN.
Por BDI-ja opozitare ka kritikuar pushtetin se në shum konkurse punësohen vetëm maqedonas, siç ka qenë rasti me punësimet në Armatë ku nga 74 punësime, siç thuhet vetëm një ka qenë shqiptarë.
ASH: Ndikimi serb zgjerohet, qeveria hesht
Ndërkohë, Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit ka kritikuar ashpër koalicionin VLEN për heshtje ndaj ndikimit serb në vend. Sipas këtij subjekti politik, investimi i paralajmëruar prej 50 milionë eurosh nga Telekom Serbia është pjesë e një projekti gjeopolitik që synon “kolonizimin ekonomik dhe mediatik” të Maqedonisë së Veriut.
“Ajo që ndodhi në Mal të Zi po ndodh edhe këtu, para syve tanë, kapje e tregut të telekomunikacionit, pushtim i hapësirës mediatike, dhe ndërtim i infrastrukturës kritike në duart e kompanive të kontrolluara nga qeveria e Vuçiqit. Ndërkohë, qeveria VMRO-VLEN hesht si ortak i verbër, duke u marrë me iluzione reformash dhe poste drejtorësh, ndërsa ndikimi serb zgjerohet pa asnjë pengesë”, thuhet në reagimin e ASH-së.
LSDM: Vetëm 26% realizim i investimeve
LSDM ka kritikuar qeverinë për dështim në realizimin e investimeve kapitale. Sipas tyre, në 6 muajt e parë të këtij viti janë realizuar vetëm 26 për qind e investimeve, çka për ta është dëshmi e paaftësisë së Qeverisë.
“Kjo nuk është vetëm një shifër katastrofike. Ky është një tregues, provë e paaftësisë së plotë institucionale të qeverisë dhe politikave të dështuara ekonomike. Me një realizim kaq të mjerueshëm, Maqedonia nuk mund të përparojë”, u shpreh Jovica Jankoviç nga LSDM.
VMRO: Kocevski mbron LSDM-në nga drejtësia
Nga ana tjetër VMRO-DPMNE, akuzon LSDM-në e ka robëruar Prokurorinë përmes kryeprokurorit Ljubomir Kocevski.
“Kryeprokurori Kocevski mori një karton të kuq në Kuvend me interpelancën e votuar, dhe në vend që të tregojë përgjegjësi dhe të japë dorëheqje, ai zgjodhi me çdo kusht të qëndrojë në kolltukun e rehatshëm dhe të mbrojë LSDM-në nga përgjegjësia”, theksoi Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.
Këto përplasje politike vijnë në një kohë kur vendi ndodhet para procesit të organizimit të zgjedhjeve lokale.
ERSAN PAJAZITI
