Botë

Po i vjen fundi luftës Rusi-Ukrainë!? Putin dhe Trump drejt takimit historik

07.08.2025 16:36

Rusia dhe SHBA janë marrë vesh për një takim mes presidentit Vladimir Putin dhe Donald Trump...

Rusia dhe SHBA janë marrë vesh për një takim mes presidentit Vladimir Putin dhe Donald Trump në ditët në vijim. Lajmin e ka konfirmuar ndihmësi i Putinit, Jurij Ushakov, i cili tha se përgatitjet kanë nisur dhe vendi i takimit është përcaktuar. Sipas tij, takimi është propozuar nga pala amerikane dhe pritet të zhvillohet gjatë javës së ardhshme.
 
Edhe Trump ka deklaruar se do të takohet me kreun e Kremlinit, si dhe me Zelenskin, pas siç i quajti bisedimeve të mira që përfaqësuesi i tij Vitkof pati me presidentin rus në Moskë.
 
"Kemi pasur bisedime shumë të mira me Putinin. Ka një mundësi shumë të madhe që ndoshta po e mbyllim ciklin, po e përfundojmë fundin e rrugës. Ajo rrugë ishte e gjatë dhe vazhdon të jetë, por ka gjasa të mëdha që të ketë një takim shumë shpejt", u shpreh presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.
 
Ndërkohë, presidenti ukrainas Zelenski përcolli qëndrimin e përbashkët pas bisedës telefonike me Trumpin dhe partnerët evropianë se lufta duhet të përfundojë. Ai theksoi se presioni ndaj Moskës po funksionon.
 
"Pata një bisedë me presidentin Trump pas vizitës së Vitkofit në Moskë. Qëndrimi ynë i përbashkët me partnerët tanë është absolutisht i qartë: lufta duhet të përfundojë dhe duhet të ketë një fund të drejtë. Duket se Rusia tani është më e prirur të pajtohet për armëpushim, presioni ndaj tyre po funksionon”, theksoi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
 
Putin dhe Vitkof zhvilluan një takim treorësh pak para afatit të vendosur nga Trump që Rusia të pranojë armëpushimin në Ukrainë. Si presion shtesë, Trump vendosi tarifa 50% ndaj Indisë për shkak të blerjes së naftës ruse, veprim që India e quajti të pajustifikueshëm. Sipas Trump, tregu global mund të ndikojë në përfundimin e luftës.
 
ARMEND MURSELI