Maqedoni
Zgjedhjet lokale nxehin debatin, Mexhiti: Osmani vet jeton në ndërtim të egër
08.08.2025 14:19
Ndërtimet e egra në komunën e Çairit kanë rikthyer debatin politik...

Ndërtimet e egra në komunën e Çairit kanë rikthyer debatin politik, sidomos në prag të zgjedhjeve lokale. Kandidati i VLEN-it për kryetar të Çairit dhe zëvendëskryeministër aktual, Izet Mexhiti, ka akuzuar kundërshtarin e tij politik, Bujar Osmani nga BDI, për ndërtim të paligjshëm.
Mexhiti theksoi se Osmani nuk ka asnjë të drejtë morale të flasë për këtë çështje, duke pretenduar se shtëpia në të cilën jeton vetë Osmani është ndërtim i egër që më vonë është legalizuar.
“Të gjithë mund të flasin, por më së paku Bujar Osmani mund të flet për ndërtimet e egra, sepse në shtëpinë ku jeton është ndërtim i egër. Nëse mund të kemi toleru dhe atë që e ka bërë për vete, nuk do tua toleron rasteve sociale, rasteve të cilët mezi dalin në fund me rrogat e tyre të muajit”, u shpreh Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti.
Përndryshe, kandidati i BDI-së për komunën e Çairit, Bujar Osmani, në një paraqitje televizive theksoi se, nëse zgjidhet kryetar komune, do të vendosë një moratorium për ndërtimet e egra. Ai sqaroi se nuk do t’i shembë ato, pasi në to tashmë jetojnë qytetarë të Çairit, por u zotua se do të testojë sigurinë e atyre ndërtesave.
VLEN: Shpenzime të dyshimta në samitin e OSBE-së
Ndërkohë, VLEN ka vazhduar me akuzat në drejtim të Osmanit edhe për sa i përket organizimit të samitit të OSBE-së. Sipas VLEN, Enti Shtetëror i Rezizionit ka konfirmuar dyshimet për keqpërdorime me këtë eveniment.
“Sipas raportit të revizionit: Mbi 120 milionë denarë u shpenzuan pa të dhëna të qarta; Nuk ka dokumentacion se çfarë saktësisht është dorëzuar, instaluar ose lënë si pajisje e përhershme në sallën Boris Trajkovski; Kontratat dhe prokurimet publike u zbatuan pa transparencë dhe me mangësi serioze ligjore”, theksojnë nga VLEN.
BDI: Samiti i OSBE-së, një triumf diplomatik për vendin
Reagojnë nga BDI, nga ku pretendimet e VLEN i vlerësojnë si shpifje.
“Përpjekjet e VLEN për të shpifur nuk janë gjë tjetër veçse keqdashje dhe xhelozi politike. E vërteta është e thjeshtë: Maqedonia e Veriut priti botën dhe realizoi një aktivitet që do të mbahet mend si triumf diplomatik dhe organizativ. Ky sukses i takon qytetarëve, institucioneve dhe çdo personi që punoi me përkushtim për të treguar më të mirën e vendit tonë. E kuptojmë se për ata që nuk kanë organizuar kurrë asgjë me vlerë ndërkombëtare, është më e lehtë të shpifin sesa të pranojnë realitetin”, theksojnë nga BDI.
ERSAN PAJAZITI
