Botë
Gjykata Kushtetuese e Kosovës, kryeparlamentari të zgjidhet me votim të hapur
08.08.2025 16:17
Gjykata Kushtetuese e Kosovës i kërkon Kuvendit...

Gjykata Kushtetuese e Kosovës i kërkon Kuvendit që kryeparlamentarin e ri ta zgjedh me votimit të hapur. Në vendimin gjyqësorë njëherit theksohet se Kryesuesi i Seancës Konstituive nuk ka vepruar në pajtueshmëri me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të 26 qershorit 2025 dhe rrjedhimisht veprimet e tij janë në papajtueshmëri me paragrafin nji të nenit 116 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
“Gjykata, vendosi të konstatojë, njëzëri, që deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk kanë zbatuar Aktgjykimin e 26 qershorit 2025, të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastin KO124/25, dhe rrjedhimisht të gjitha seancat e mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik 2025 shpallen të pavlefshme”, thuhet në vendimin e kushtetueses.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës, për një kandidat mund të votohet deri në tre herë
Poashtu vendimi saktëson se për kandidatin e njejtë të propozuar nga partia më e madhe mund të votohet deri në tre herë.
“Kryesuesi i Seancës Konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës së Seancës Konstituive, të miratuar më 8 prill 2025, dhe në pajtim me paragrafin 2 të nenit 67 (Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve) të Kushtetutësë Republikës së Kosovës, të ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin për Kryetar të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i cili zgjedhet përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në tre herë për kandidatin/en e njëjtë”, thekson kushtetuesja.
Njëherit urdhërohen të gjithë deputetët e zgjedhur që gjatë procedurës së zgjedhjes së Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës të jenë të pranishëm dhe të votojnë. Kushtetuesja në këtë vendim urdhëron që brenda 30 ditëve nga dita e hyrjes në fuqi e këtij aktgjykimi të përmbyllet seanca konstituive.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje do të respektojë vendimin e ri të gjykatës kushtetuese, por fajin për mos formimin e institucioneve të reja e sheh te partitë opozitare.
“Aktëgjykimin ne e kemi respektuar dhe jam unë që kam dërguar letra për të bashkëbiseduar në frymë bahskëpunimi dhe me konsulta konstruktive por deri më tani nuk kemi pasur sukses”, u shpreh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Vendimet e Gjykatës kanë të bëjnë me dy kërkesat e dërguara nga PDK dhe LDK, të cilat e kanë mirëpritur vendimin.
“Sot, Gjykata Kushtetuese vulosi të vërtetën që për muaj me radhë e kemi thënë me zë të lartë, si Parti Demokratike e Kosovës: Lëvizja Vetëvendosje e ka mbajtur peng Kuvendin e Republikës së Kosovës, duke e bllokuar qëllimisht dhe në mënyrë të planifikuar funksionalizimin e tij për interesa të ngushta pushteti, me veprime tërësisht jashtë kushtetutës”, thekson kreu I PDK-së Memli Krasniqi.
Ndërsa Kreu I LDK-së Lumir Abdixhiku e ka vlerësuar vendimin e kushtetueses një fitore të madhe të demokracisë!
“Një fitore e madhe Republikës! Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë të plotë kërkesave tona dhe lëndës së hartuar nga LDK. Siç e kishim thënë, sa e sa herë, partia e parë kishte uzurpuar foltoren, me imponim kishte ndryshuar rendin e ditës dhe me kokëfortësi për plot 48 herë kishte shkelur Kushtetutën e Kosovës duke insistuar në votimin e fshehtë - para dhe pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Votimi i fshehtë nuk pranohet”, thekson mes tjerash Abdixhiku.
Kosova ndodhet në krizë institucionale, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, prej kur janë mbajtur 54 vazhdime të seancës konstituive por të gjitha kanë dështuar.
GYLTENE SINANI
