Botë

Izraeli miraton planin për pushtimin e Gazës, komuniteti ndërkombëtar i shqetësuar

08.08.2025 16:40

Kabineti izraelit për siguri miratoi planin e Netanyahut...

Kabineti izraelit për siguri miratoi planin e Netanyahut për pushtimin e qytetit të Gazës, duke paralajmëruar ndihmë humanitare për civilët jashtë zonave të luftimeve.
 
Plani, që pritet të zgjasë pesë muaj, parashikon çarmatosjen e Hamasit, kthimin e pengjeve, demilitarizimin, kontrollin izraelit të sigurisë dhe krijimin e një administrate të re civile.
 
Komuniteti ndërkombëtar reagoi me shqetësim. Ministrja australiane e jashtme Wong tha se zhvendosja e detyruar do të përkeqësojë krizën humanitare, ndërsa kryeministri britanik Starmer e quajti vendim të gabuar. OKB-ja paralajmëroi se çdo zgjerim i konfliktit do të ishte katastrofal.
 
“Kjo nuk është e pranueshme sipas të drejtës ndërkombëtare. Ne kemi shprehur qartë shqetësimin tonë se çdo zgjerim i konfliktit do të ishte katastrofal”, u shpreh zëdhënësi i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së Farhan Haq.
 
Reagime erdhën edhe nga autoritetet palestineze dhe turke, të cilat thanë se vendimi është shpallje e një krimi lufte.
 
Netanyahu, para takimit, deklaroi se synon të marrë kontrollin ushtarak mbi të gjithë Gazën, jo për ta administruar, por për të shkatërruar Hamasin dhe për të kthyer pengjet.
 
“Plani ynë nuk është ta pushtojmë apo ta aneksojmë Gazën. Qëllimi ynë është të shkatërrojmë Hamasin dhe të kthejmë pengjet, e më pas t’ia dorëzojmë Gazën një qeverie të përkohshme, forcave arabe që do ta administrojnë siç duhet, pa na kërcënuar”, theksoi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu.
 
Qindra izraelitë dolën në protesta në disa qytete, duke kërkuar që qeveria të heqë dorë nga plani, i cili sipas familjarëve, është një dënim me vdekje për pengjet.
 
“Nuk ia dolët! Djali im Matan është ende atje, në vend që të bëni gjënë e vetme që kjo qeveri nuk e ka bërë  të vendosni në tryezë një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do t’i kthente të gjithë 50 pengjet në shtëpi”, u shpreh nëna e një pengu Anat Angrest.
 
Qyteti i Gazës përbën rreth 25% të territorit të Rripit që ushtria izraelite ende nuk e ka pushtuar, ku sipas vlerësimeve të tyre mbahen pengjet e mbetur.
 
ARMEND MURSELI