Shpallet data e zgjedhjeve lokale, 19 tetor 2025, Gashi: Zgjedhjet janë themeli i Demokracisë sonë
Maqedonia e Veriut hyn zyrtarisht në rrugën drejt zgjedhjeve lokale...

Maqedonia e Veriut hyn zyrtarisht në rrugën drejt zgjedhjeve lokale. Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, shpalli zyrtarisht datën e zgjedhjeve lokale, të cilat do të mbahen më 19 tetor 2025.
Vendimi tashmë i është dorëzuar institucioneve kompetente, të cilat do të organizojnë dhe zbatojnë procesin zgjedhor.
Gashi njoftoi se fushata do të zgjasë njëzet ditë dhe gjatë kësaj periudhe Kuvendi do të vazhdojë punën e rregullt administrative, por nuk do të mbajë seanca plenare, për të shmangur, siç tha, keqpërdorimin e foltores parlamentare për qëllime elektorale.
“Pres që ky proces të jetë një dëshmi e pjekurisë sonë demokratike, ku respektohen rregullat, mbizotëron dinjiteti, dhe reflekton vullneti i lirë i qytetarëve, e jo rezultat i trysnive apo manipulimeve. Në këto zgjedhje është e domosdoshme të demostrojmë vlerat dhe standardet europiane për të pasqyruar angazhimin tonë të palëkundur për integrim. Duke i dëshiruar sukses të gjithë kandidatëve dhe partive politike që do të marrin pjesë në këto zgjedhje, uroj që këto zgjedhje lokale të jenë një garë ku idetë dhe vizionet për një të ardhme më të mirë do të jenë në qendër të diskutimeve”, thuhet në deklaratën zyrtare të kryetarit tlë Kuvendit Afrim Gashi.
Ai theksoi se zgjedhjet nuk janë vetëm proces teknik, por thelbi i demokracisë, dhe u bëri thirrje partive politike, kandidatëve dhe strukturave të tyre të tregojnë kulturë të lartë politike, të shmangin presionin ndaj qytetarëve dhe përdorimin e burimeve publike për interesa partiake.
Sipas tij, 19 tetori është një moment i rëndësishëm për forcimin e demokracisë, përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve dhe për një të ardhme më të mirë për të gjithë. (Ersan Pajaziti, TVM2)
