Debati për punësimet në Administratë, ASH: VLEN shpërblen familjarët, jo qytetarët

09.08.2025 15:33

Opozita shqiptare akuzon VLEN-in...

Opozita shqiptare akuzon VLEN-in se po maskon dështimet me “punësime të rregullta” që në fakt janë kontrata afatshkurtra parazgjedhore, përderisa VMRO-DPMNE po e mbush administratën me militantë përmes punësimeve të përhershme.

ASh e Arben Taravarit akuzon VLEN-in se po punëson me paga të larta vetëm familjarët e zyrtarëve më të lartë, ndërsa qytetarët presin në listat prioritare.

Si raste nepotizmi përmenden djali i deputetes Merita Kollçi–Koxhaxhiku në M-NAV dhe nipi i kreut të Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Akademinë Ushtarake në Shkup.

“Ky është modeli i udhëheqjes së VLEN-it, që merr poste të rëndësishme në institucione vetëm për familjarët e tyre, si shpërblim nga VMRO-DPMNE për lojalitetin politik. VLEN premtoi 2.500 punësime për shqiptarët. Sot, reklamon vetëm 33 punësime me kontrata afatshkurtra, ndërsa VMRO-DPMNE, vetëm brenda një jave, punësoi 177 militantë partiakë- përfshirë edhe 14 punësimet e fundit në M-NAV”, theksojnë nga ASH e Taravarit.

Debati për punësimet në Administratë, Fetai: 1.250 punësime vetëm në shëndetësi

Me këto pretendime të opozitës nuk pajtohen nga VLEN. Zv/kryeministri, Arben Fetai, tha se shqiptarët gjatë kohës së VLEN-it po punësohen si asnjëherë më parë, ndërsa pretendimet e opozitës i llogariti si tentim për manipulim me opinionin.

“Vetëm në shëndetësi janë punësuar 1250 nëpunës shëndetsor, në 45 ditët që po i lëmë pas, janë punësuar mijëra shqiptarë, do dalim shumë shpejtë me analizat përfundimtare të punësimeve pas shpalljes së zgjedhjeve dhe do të keni detaje. Për sa u përket punësimeve të cilat janë realizuar, do shihni se nuk bëhet fjalë për familjarë, aty do shihni se shumë shqiptarë janë punësuar në bazë të kualifikimeve profesionale, në bazë të përvojës, sipas ligjeve në fuqi në vendin tonë” – deklaroi Zv.Kryeministri Arben Fetai.

Përndryshe tema e punësimeve ka qenë aktuale edhe në përplasjet e partive politike shqiptare, ku BDI dhe opozita shqiptare ka akuzuar vazhdimisht VLEN-in për deshqiptarizim të instituciuoneve me heqjen e balancuait, ndërsa VLEN është zotuar se çështjen e përfaqësimit do ta përkthejë në ligj nëpërmjet ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. (Ersan Pajaziti, TVM2)