Zgjedhjet lokale nxisin reagime, Osmani: Ta kthejmë të drejtën, ma jepni besimin
Bujar Osmani nga rradhët e BDI-së...

Bujar Osmani nga rradhët e BDI-së, i cili pretendon të bëhet i pari i komunës së Çairit, thotë se zgjedhjet lokale do të jenë referendum për 20 vitet e ardhshme. Në një video në profilin e tij social, ai kërkon që popullit shqiptar t’i kthehet hisja në vendimmarrje dhe të mos vazhdojë tutje margjinalizimi i një populli shtetformues.
Momentalisht sipas Osmanit, fati i shqiptarëve është në duart e miqve personal të Mickoskit. Përfaqësimi politik shqiptar duhet të burojë nga legjitimiteti, thotë ai.
“Në këto zgjedhje, qytetarët do të votojnë: a do ta legjitimojnë politikën e Mickoskit për të demontuar Marrëveshjen e Ohrit, edhe atë në tre shtyllat e saj: të drejtën e shqiptarëve që vet vendosin për fatin e vet, të drejtën e veto-s edhe gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare që i takon vetëm popullit shtetformues këtu. E dyta, këto zgjedhje do të jenë: a do të legjitimojnë shqiptarët politikën e Mickoskit që përfaqësimi shqiptar të shndërrohet në jarani personale.” – tha Bujar Osmani nga BDI.
VLEN: Osmani asnjëherë s’ka menduar për Çairin
Nga koalicioni VLEN vazhdojnë të pohojnë se Çairit nuk i duhet një politikan si Osmani, për të cilin kanë mendim se gjatë karrierës së tij poltike, asnjëherë nuk është kujtuar për të mirën e banorëve të këtij vendi.
“Çairi nuk meriton një politikan që ikën nga përgjigjet dhe që lë pas vetëm dyshime dhe skandale. Çairi meriton udhëheqje të ndershme dhe të përgjegjshme. Bujar Osmani nuk ka bërë asgjë në jetën e tij për Komunën e Çairit, asnjë projekt të vetëm, asnjë përmirësim për qytetarët, as nuk e ka ngritur telefonin për të ndihmuar. Por ai padyshim ka ditur të bëjë shumë për veten e tij, duke përdorur buxhetin e shtetit për shpenzime të dyshimta pa gjurmë, dokument apo provë.” – thonë nga VLEN.
VLEN vazhdon akuzat në drejtim të Osmanit për sa i përket organizimit të samitit të OSBE-së. Sipas VLEN, Enti Shtetëror i Revizionit ka konfirmuar dyshimet për keqpërdorime finaciare në këtë ngjarje, diku mbi 120 milionë denarë. (Nermin Mulaki, TVM2)
