Shpresë për zgjidhje në Ukrainë, Trump dhe Putin do të takohen në Alaskë

09.08.2025 20:00

Përcaktohet takimi i parë Trump-Putin...

Përcaktohet takimi i parë Trump-Putin për arritjen e paqes në Ukrainë.  Presidenti amerikan dhe ai rus do të takohen më 15 gusht në Juneau, Alaska. Trump theksoi se dëshiron të takohet sa më shpejt me Putin, pasi çdo ditë po vdesin shumë rusë dhe ukrainas.

Për arritjen e paqes, ai mendon se Ukraina do të duhet të pranojë shkëmbim territoresh.

“Presidenti Putin, besoj, dëshiron paqe. Edhe Zelenski dëshiron të shohë paqe. Tani presidenti Zelenski duhet të marrë gjithçka që i duhet, sepse do të duhet të përgatitet për të nënshkruar diçka. Ne po e shqyrtojmë këtë, por në të vërtetë kërkojmë të marrim një pjesë prapa, dhe një pjesë të shkëmbejmë. Është shumë e komplikuar. Por, do të marrim një pjesë prapa. Do të marrim një pjesë, disa territore do të shkëmbehen” – tha Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.

Putin në takimin me Tramp do të paraqesë planin e tij të paqes që përfshin njohjen e referendumeve për shkëputjen e rajoneve nga Ukraina. Moska tashmë ka ftuar për një takim të dytë me Trump në Rusi për thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

“Rusia dhe SHBA janë fqinj të afërt, ndajnë kufi të përbashkët. Duket plotësisht logjike që delegacioni ynë thjesht të fluturojë mbi ngushticën e Beringut dhe samiti i shumëpritur i liderëve të dy vendeve të mbahet pikërisht në Alaskë. Sigurisht, vetë presidentët padyshim do të përqendrohen në diskutimin e opsioneve për arritjen e një zgjidhjeje afatgjate paqësore të krizës ukrainase. Duke parë përpara, është natyrale që takimi i ardhshëm i presidentëve të mbahet në territorin rus. Ftesa përkatëse është dërguar tashmë tek presidenti i SHBA-së” – u shpreh Ndihmës Presidenti rus i Putinit, Jurij Ushakov.

Presidenti ukrainas Zelenski refuzon marrëveshjen e paqes që parashikon që Ukraina të heqë dorë nga një pjesë e territorit të saj.

“Populli ukrainas e meriton paqen. Por të gjithë partnerët duhet të kuptojnë se çfarë është paqja dinjitoze. Përgjigja për çështjen territoriale të Ukrainës tashmë është në Kushtetutën e Ukrainës. Askush nuk do të heqë dorë nga kjo – dhe askush nuk do të mundet. Ukrainasit nuk do t’ia dhurojnë tokën e tyre pushtuesit. Ukraina është e gatshme për vendime të vërteta që mund të sjellin paqe. Të gjitha vendimet kundër nesh, të gjitha vendimet pa Ukrainën, janë njëkohësisht vendime kundër paqes” – tha Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.  

Megjithëse ka refuzuar propozimin për dhënie territoresh, Zelenski deklaroi se është i gatshëm për një takim trilateral me Trump dhe Putin. (Ersan Pajaziti, TVM2)