Gjilan, vriten dy persona dhe dy të tjerë mbetën të plagosur, i dyshuari në arrati

10.08.2025 15:05

Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Gjilanit...

Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Gjilanit mesditën e sotme, ku si pasojë kanë mbetur dy persona të vdekur, derisa dy të tjerë janë plagosur.

Rasti është konfirmuar edhe nga zëdhënësi i Policisë Rajonale të Gjilanit, Ismet Hashani, ku bëri të ditur se dy persona kanë mbetur të vdekur, vdekja e të cilëve është konstatuar nga mjeku kujdestar, ndërsa dy të tjerë janë plagosur dhe u është ofruar ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente në Gjilan.

I dyshuari për këtë krim është një mashkull shtetas i Kosovës, i njohur për policinë, i cili aktualisht ndodhet në arrati.

“Ju njoftoj se sot 10.08.2025 rreth orës 12:32 dyshohet se ka ndodhur një rast vrasje dhe plagosje me armë zjarri në Gjilan rr. “Ibrahim Rugova “. Në këtë rast mjeku kujdestar e ka konstatuar vdekjen e dy personave, dyshohet se edhe dy persona të tjerë janë plagosur dhe u është ofruar ndihmë në qendrën emergjente këtu në Gjilan”, - tha Hashani.

“I dyshuar për rastin është personi mashkull, shtetas i Kosovës i njohur për policinë i cili për momentin është në arrati. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante dhe prokurori i shtetit. Policia e Kosovës, Njësitet e hetimeve rajonale në bashkëpunim me prokurorin e shtetit po i hetojnë rrethanat e këtij rasti të rëndë”.