Vijojnë përplasjet pushtet-opozitë, VLEN: Osmani keqpërdori fondet e OSBE-së

10.08.2025 16:01

Vazhdojnë përplasjet politike...

Vazhdojnë përplasjet politike mes pushtetit dhe opozitës me akuza të ndërsjella për korrupsion dhe ndikim të huaj. Koalicioni qeverisës VLEN ka akuzuar BDI-në për mungesë transparence në kohën kur kjo parti drejtonte Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe organizoi samitin e OSBE-së në Shkup.

Sipas VLEN-it, nuk është dhënë asnjë provë se si u shpenzuan 120 milionë denarë për organizimin e samitit, ndërsa në vend të llogaridhënies, e vetmja “fitore” e ish-ministrit të atëhershëm, Bujar Osmani, ka qenë pritja e ministrit të Jashtëm rus, Sergej Lavrov  një veprim që, sipas tyre, ngriti dyshime për orientimin e politikës së jashtme të qeverisë së atëhershme dhe të BDI-së.

“Opinioni duhet ta di: Pse nuk ka dokumente, fatura apo raporte për 120 milionë denarë e shpenzuara? Kush i miratoi këto shpenzime dhe për çfarë qëllimi? Kush i fshehu dokumentet? A përfunduan të njëjtat mjetenë xhepat e kompanive të afërta me BDI-në?”, theksojnë nga VLEN.

BDI: VLEN po ndihmon “Botën serbe”

Në reagimin e saj, BDI akuzon qeverinë aktuale dhe VLEN-in për ndihmë në zbatimin e asaj që e quan “agjenda e Botës Serbe” në Maqedoninë e Veriut.

Sipas BDI-së, ky ndikim nuk kufizohet vetëm në retorikë politike, por po merr formë konkrete përmes penetrimit ekonomik dhe politik, duke përfshirë hyrjen e kapitalit serb në sektorin bankar.

“Pas hyrjes së Telekomit Serb, tani kapitali serb po hyn fuqishëm edhe në sektorin bankar me “Alta Bank”, që pritet të marrë kontrollin e Stopanska Banka AD Bitola. Pronari i saj, Davor Macura, ka lidhje të ngushta me Milan Radojçiç, organizatorin e aktit terrorist të Banjskës në Kosovë. Nuk bëhet fjalë për investim neutral, por për një mjet politik e financiar të “Botës Serbe” për të rritur ndikimin e Beogradit në rajon”, theksojnë nga BDI, nga ku paralajmërojnë se kjo qasje e qeverisë po e zhvendos vendin nga orientimi euroatlantik drejt një boshti lindor. (Ersan Pajaziti, TVM2)