Zgjedhjet lokale, të pavarurve u mundësohet pjesëmarrja në zgjedhje
Kandidatëve te pavarur do të ju mundësohet...

Kandidatëve te pavarur do të ju mundësohet të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme lokale. Këtë e ka konstatuar KSHZ-ja gjatë mbledhjes së të shtunës, pas shpalljes së zgjedhjeve nga ana e kryeparlamentarit, Afrim Gashi.
Megjithatë një pjesë e tyre vlerësojnë se vendimi është i vonshëm dhe druajnë se në këtë mënyrë po shpërfillen.
Për këtë arsye nga Qyteti i Gjelbërt Human theksojnë se do të vazhdojnë me themelimin e një partie politike, me qëllim që të mos jenë pre e përbuzjes së partive politike.
“Kanë filluar të luajnë me ne sikur të jemi fëmijë të vegjël. Sot vlen një rregull, nesër vlen një tjetër, sot njëri nen të vlerëson kështu, ndërsa të nesërmen Gjykata Kushtetuese e vlerëson ndryshe. Bukvalisht me ne po luajnë, vetëm që ne të pavarurit të mbetemi në labirinthet e tyre dhe të mos mundemi të shkojmë përpara dhe të dalim në zgjedhje, njejtë siç e kemi bërë para 4 viteve. Prandaj ‘Qyteti i Gjelbërt Human’ mbetet në misionin që e filloi, e ajo është formimi i një partie politike, me qëllim që ti shmangemi asaj që të mund të manipulojnë me neve në këtë mënyrë” - tha Gorjan Jovanovski nga ‘Qyteti i Gjelbërt Human’.
Nga koalicioni tri palësh i nismave “Të pavarurit për Karposhin”, “Shansi për Qendrën” dhe “ Të gjelbërit nga Gazi Baba”, theksojnë se vendimin final, se a do të formojnë parti politike, do ta marrin ditëve në vijim.
“Ne nuk jemi të orientuar partiakisht, ai ishte dallimi ynë. Por kjo situatë, që na ka sjell këtu, ky proces zgjedhor, na bën të kuptojmë se ne jemi lodëra në kuadër të partive politike dhe se na duhet të kërkojmë një zgjidhje definitive, të mos na përsëritet kjo situatë. Se çfarë zgjidhje do të gjejmë, unë nuk do të mund të jap përgjigje konkrete tani” – u shpreh Tanja Stojanovska nga ‘Të Pavarur për Karposhin’.
Sipas kreut të KSHZ-së, neni 60 i Kodit Zgjedhor garanton qartë të drejtën e pjesëmarrjes në zgjedhje si për partitë politike, ashtu edhe për koalicionet, si dhe për grupet e votuesve, pra kandidatët e pavarur.
Në seancën e KSHZ-së, menjëherë pas shpalljes së zgjedhjeve, u shfuqizua Rregullorja e KSHZ-së që rregullonte procedurën për mbledhjen e nënshkrimeve.
“Qartësojmë se në fuqi është neni 60, që e rregullon të drejtën për pjesmarrje në zgjedhje. Në përputhje me ligjin dhe në përputhje me Kushtetutën, secili ka të drejtë aktive dhe pasive që të zgjedh dhe të jetë i zgjedhur. Pra KSHZ nuk ka të drejtë të cenojë një të drejtë ligjore dhe nuk do ta cenojë” – deklaroi Kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko.
Përndryshe zgjedhjet lokale do të mbahen me 19 tetor, ndërsa raundi i dytë për kryetarët e komunave më 2 nëntor. (Ersan Pajaziti, TVM2)
