Shkarkohet Shefi i Policisë në Demir Hisar

10.08.2025 17:30

Ministria e Punëve të Brendshme...

Ministria e Punëve të Brendshme shkarkon shefin e policisë në Demir Hisar, i cili ka kryer kontroll në shtëpinë e drejtoreshës së shkollës së mesme “Kërste Petkov Misirkov”, Maja Llozanovska, pa patur urdhër nga prokuroria.

Sipas informacioneve të MPB-së, ai do të shkarkohet dhe ndaj tij tashmë po zhvillohet procedurë disiplinore.

MPB-ja informon publikun se departamenti i brendshëm për kontroll në MPB, pas kontrolleve të kryera lidhur me videon e publikuar gjatë bastisjes në Demir Hisar, ka konstatuar sjellje joprofesionale dhe joetike nga shefi i stacionit policor të Demir Hisarit.

Kundër personit është iniciuar procedurë disiplinore. Me qëllim të paanshmërisë dhe objektivitetit të plotë të hetimit, shefi i lartpërmendur do të shkarkohet nga detyra.

“MPB-ja dënon çdo formë të dhunës, veprimtarinë e paligjshme apo joprofesionale. Policia është këtu për t’i zbatuar ligjet dhe t’ju shërbejë qytetarëve” - thonë nga MPB.

LSDM: Shefi i Policisë të ndiqet penalisht

Nga LSDM-ja sërish kanë kërkuar që shefi i policisë të përgjigjet penalisht.

“Prokuroria në Manastir duhet të reagojë patjetër, t’i hetojë të gjitha aspektet e veprimive joligjore të policisë dhe ti ndjek penalisht të gjithë të involvuarit. Në mënyrë shtesë, i gjithë rasti me Llozanovskën duhet të sanksionohet.” – tha Trajçe Stojçevski nga LSDM.

Për veprën penale të kryer, u reagua menjëherë. Shefi i Policisë në Demir Hisar u shkarkua, thonë nga VMRO DPME, duke rikujtuar kohërat e sundimit të  Zaevit, Filipçes, Spasovskit dhe Ahmetit.

“Policia partiake e Spasovskit bastisi shtëpitë e njerëzve të VMRO-DPMNE-së, kreu kontrolle dhe i zvarriti ata të prangosur para fëmijëve të mitur. Gordana Jankuloska u dërgua në burg dhe u dënua. Një grua tjetër, nën tortura nga policia partiake e LDS-së dhe BDI-së, humbi fetusin dhe fëmijën e saj në burg” - thuhet në komunikatën e VMRO –DPMNE-së.

Avokati i Llozanovskës ka njoftuar se drejtoresha të martën do të shkojë në intervistë në stacionin policor në Demir Hisar. Në kërkim të vulës së gjimnazit në Demir Hisar, policia të shtunën ka kryer kontroll edhe në zyrat zyrtare të Llozanovskës. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)