Përleshje me armë zjarri në Tetovë, vritet një 45-vjeçar nga Reçica
Një person ka vdekur, ndërkaq gjashtë të tjerë...

Një person ka vdekur, ndërkaq gjashtë të tjerë kanë mbetur të lënduar, mes të cilëve edhe një e mitur, pasi dy grupe kanë shkëmbyer zjarr me armë në Tetovë. Rastin e kanë konfirmuar nga SPB Tetovë, nga ku kanë dalë me raportin zyrtar për vrasjen që ndodhi.
Siç njoftojnë nga SPB-Tetovë, ka pasur shkëmbim zjarri mes personave nga dy automjete, me ç’rast ka ndodhur edhe një aksident trafiku, pas së cilës të dyja automjetet e kanë lëshuar vendin e ngjarjes, njëri prej tyre është drejtuar drejt rrugës “113”, ndërsa tjetri në drejtim të panjohur.
“Gjatë marrjes së masave, në kryqëzimin e rrugës “Bllagoja Toska” me rrugën “107” është gjetur një automjet pasagjerësh “Volksëagen Golf” me targa të Tetovës, në pronësi të F.R.(46) nga Tetova, ndërsa brenda automjetit është gjetur një person i vdekur me plagë nga arma e zjarrit. Për ngjarjen është formuar një ekip i cili drejtohet nga prokurori publik kujdestar në Prokurorinë Themelore Publike në Tetovë dhe një ekip inspektues nga SPB-Tetovë. Në momentin e inspektimit, në Spitalin Klinik-Tetovë janë transferuar tre persona me lëndime, nga të cilët një vajzë e mitur nga Tetova me plagë nga arma e zjarrit, e cila është mbajtur nën vëzhgim. Ndërsa dy persona të tjerë, O.O.(34) dhe R.T. me plagë nga arma e zjarrit, si raste urgjente janë transferuar në Kompleksin e Klinikave “Nëna Terezë” në Shkup” – tha përmes linjës telefonike zëdhënësi i SPB-Tetovë.
Siç njoftojnë nga SPB Tetovë në shkëmbim zjarri nga automjetet është lënduar edhe një këmbësor A.S.(60) nga Tetova, i cili ishte kalimtar i rastit dhe është transferuar në klinikat e Shkupit.
Nga policia theksojnë se po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rastit. (Ersan Pajaziti, TVM2)
