Mickoski akuzon BDI-në, tentojnë të na kthejnë 30 vite prapa

11.08.2025 15:16

Me shpalljen zyrtare të zgjedhjeve...

Me shpalljen zyrtare të zgjedhjeve, partitë politike intensifikojnë shkëmbimin e akuzave mes tyre. Kryeministri Hristijan Mickoski, pret që fushata të fokusohet në projekte, ndërsa akuzoi opozitën shqiptare, me theks të veçantë BDI-në se po zbaton politika që i kthejnë qytetarët 25-30 vite prapa.

“Fushata pres të jetë një fushatë që do të fokusohet në projekte, por është e qartë se ka një parti politike, para së gjithash mendoj për BDI-në, e cila në vend që të flasë për projekte dhe të ardhmen, na kthen 25-30 vite mbrapa dhe imponon tema të tilla. Kandidatët që i ofron BDI janë ata që i kanë detyruar shqiptarët të shpërngulen nga Maqedonia, ndërsa ata që i ofron koalicioni qeveritar janë kuadro që duan të ndërtojnë së bashku të ardhmen.” – tha Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.

Reagimi i BDI-së: S’pranojmë rikthim te padrejtësitë e së kaluarës

Reagojnë nga BDI, duke thënë se është paradoksale që kryeministri flet për “moskthim në vitin 2001”, ndërkohë që çdo ditë e praktikës qeverisëse së tij është kthim prapa në kohë: tek diskriminimi, majorizimi, dhe shkelja e të drejtave të shqiptarëve dhe komuniteteve tjera.

“BDI flet për të ardhmen, përfshirë zhvillimin, për respektin reciprok, por nuk ka të ardhme pa drejtësi dhe barazi. Kush harron padrejtësitë e së kaluarës, i përsërit ato në të ardhmen. Ne nuk do të lejojmë që padrejtësitë e para vitit 2001 të përsëriten duke keqpërdor pushtetin dhe institucionet, por do të insistojmë në ruajten e karakterit multietnik të vendit dhe respektimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, sepse është themeli mbi të cilin duhet të ndërtohet çdo politikë, çdo investim, çdo shkollë dhe çdo autostradë”, thuhet në reagimin e BDI-së.

VLEN akuzon Osmanin: Shembull i punës joefikase dhe të paligjshme

VLEN ndërkohë akuzon kandidatin e BDI-së për Çair, Bujar Osmanin, se në karrierën e tij politike, gjithmonë është kujdesur vetëm për pozicionin dhe avancimin e tij personal, por kurrë për interesat e qytetarëve.

Dëshmi për këtë sipas VLEN, është periudha kur Osmani ka udhëhequr me resorin e shëndetësisë.

“Në vitin 2010, ESHR publikoi një raport për Ministrinë e Shëndetësisë për vitin 2009, për periudhën në të cilën Osmani ishte Ministër. Raporti konstatonte: Përdorim i paligjshëm i automjeteve zyrtare, pa vendime zyrtare për udhëtim, pa raporte mujore; 4.58 milionë denarë të paguara për derivate pa verifikim dhe barazim të faturave. Servisim i automjeteve pa prova, 1.4 milionë denarë të paguara për servisim pa proces verbal për pranim cilësor”, theksojnë nga koalicioni VLEN

ASH godet Mexhitin: Mjaft më me korrupsion dhe uzurpime!

Nga ana tjetër ASH e Arben Taravarit me kritika ndaj kandidatit të VLEN, Izet Mexhiti, për ndërtime pa leje dhe uzurpime të hapësirave në Çair. ASH thekson se sipas raportimeve publike, aktualisht në territorin e komunës po ndërtohen mbi 50 objekte të reja pa leje, ndërsa institucionet heshtin.

“Dëshmitë e shumta tregojnë se Komuna e Çairit ka përdorur një regjistër të falsifikuar për legalizimin e ndërtesave të paligjshme, duke i hapur rrugën një skeme kriminale të përmasave të mëdha. Në Prokurorinë Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit tashmë janë dorëzuar 3.200 faqe dokumente që dëshmojnë procedura të dyshimta për legalizimin dhe ndërtimet në këtë komunë”, thuhet në reagimin e ASH-së. (Ersan Pajaziti, TVM2)