Inflacioni, çmimet rriten, qytetarët ankohen
Çmimet rriten, ndërsa qytetarët çdo muaj blejnë më pak...

Çmimet rriten, ndërsa qytetarët çdo muaj blejnë më pak për më shumë para. Në vend që të mbushin karrocat me fruta dhe perime të ndryshme, shumica sot blejnë vetëm ato që janë më të nevojshme. Tregjet po shndërrohen në stacione të përditshme kërkimi për çmimet më të ulëta, ndërsa xhirot nga një market në tjetrin janë bërë rutinë për shumë familje.
“Për ato produkte që gjithmonë i kemi marrur, nëse para një viti na kanë kushtuar 3000 denarë, tani është 4500 apo në disa raste vijë edhe deri te 5 mijë denarë”.
“Te produktet ushqimore ka rritje më të madhe”
“Në Gjermani ka afërsisht çmime të njejta, për dallim nga atje pagat tona janë mizore” – thanë disa nga qytetarët e anketuar nga TVM2.
Te frutat ka një rritje të madhe, ndërsa rritje me shifra dyshifrore, ka te mollat, bananet dhe limonat, pranon kryeministri Hristijan Mickoski.
Inflacioni, Mickoski: Nuk do të ngrijmë marzhet
Megjithatë, Qeveria nuk do të ndërmarrë masa për ngrirjen e çmimeve dhe marzhave për të ndalur rritjen e inflacionit, njoftoi Mickoski. Sipas tij, kjo masë që është zbatuar në të kaluarën nuk ka dhënë rezultatet e dëshiruara, prandaj do të merren masa të tjera që do të synojnë stabilizimin dhe uljen e inflacionit.
“Praktika jonë tregoi se nëse vetëm e kufizojmë marzhën te një pjesë e caktuar e produkteve, veçanërisht kur bëhet fjalë për ato ushqimore, ajo më pas reflektohet gjatë muajve në vijim dhe në fund nivelohet. Nuk duam të biem në atë grackë” – tha Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.
Mickoski sqaroi se rritja e pagave dhe pensioneve krijon presion mbi kërkesën dhe ajo rritet, ndërsa ata që ofrojnë, i rrisin çmimet e shërbimeve derisa ka kush të paguajë. (Ersan Pajaziti, TVM2)
