RREGULLAT PËR MBULIM MEDIATIK TË ZGJEDHJEVE LOKALE 2025 – TVM2

12.08.2025 11:47

Sipas rregullativës zgjedhore, Servisi Publik Radiodifuziv...

 

       I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Rregullat paraqesin operacionalizim të detyrimeve të RTVM-së, Servisi i dytë programor në gjuhën shqipe – TVM2, për mbulimin e proceseve zgjedhore të përcaktuara në Kodin Zgjedhor.

Sipas rregullativës zgjedhore, Servisi Publik Radiodifuziv, është i detyruar të sigurojë mbulim të drejtë, të balancuar dhe të paanshëm të zgjedhjeve në programin e tij dhe të mundësojë qasje në të gjitha format e paraqitjes mediatike zgjedhore – lajme, programe të veçanta informative dhe përfaqësim politik falas për të gjithë pjesëmarrësit në fushatën zgjedhore.

Po ashtu, në bashkëpunim me Komisionin Shtetëror të  Zgjedhjeve (KSHZ), TVM2 është e detyruar t’i informojë qytetarët për mënyrën dhe teknikën e votimit dhe për informacione të tjera të lidhura me procesin zgjedhor.

Prandaj, këto Rregulla përcaktojnë në cilat lloje të programacionit,  TVM2 do t’i mbulojë proceset zgjedhore, ndërkohë që të njëjtat përmbledhin detyrimet dhe standardet për sigurimin e të drejtës së përgjigjes dhe të korrigjimit të një informacioni të publikuar, të përcaktuar në Ligjin për mediat.

Rregullat do të zbatohen nga dita e shpalljes së zgjedhjeve lokale (më poshtë në tekst: zgjedhjet) deri në përfundimin e tyre.

 

       II. MBULIMI I ZGJEDHJEVE NË LAJME

Lajmet nga shpallja e zgjedhjeve deri në fillimin e fushatës zgjedhore

TVM2, në periudhën nga shpallja e zgjedhjeve deri në fillimin e fushatës zgjedhore, do të respektojë në mënyrë konsekuente standardet dhe parimet për krijimin e programeve të përcaktuara në Ligjin për shërbime mediatike audio dhe audiovizuale, standardet e profesionit të gazetarisë nga Kodi Etik i gazetarëve dhe i RTVM-së, si dhe rregullat për mbulimin e zgjedhjeve, duke siguruar balancim në informimin për aktivitetet e partive politike në pushtet dhe të opozitës që janë të përfaqësuara në Kuvend.

TVM2 do të informojë edhe për aktivitetet e subjekteve politike që nuk janë të përfaqësuara në Kuvend.

Lajmet gjatë fushatës zgjedhore dhe shpërndarja e kohës

Servisi i dytë programor në gjuhën shqipe, TVM2  do t’i mbulojë në detaje aktivitetet e fushatës zgjedhore në edicionet informative, edhe atë:

      - në Servisin e dytë programor (TVM2) në  edicionin qendror  të lajmeve  të orës 18:30;

      - në edicionet e tjera informative do të raportojë për aktivitetet e fushatës zgjedhore në përmasa më të vogla dhe do t’i respektojë rregullat për mbulim të drejtë, të balancuar dhe të paanshëm të zgjedhjeve.

Sipas nenit 76-të, paragrafi 2 nga Kodi Zgjedhor, gjatë fushatës zgjedhore, Servisi i dytë programor në gjuhën shqipe, është i detyruar të sigurojë qasje të barabartë në programin informativ, në mënyrë që 30% e kohës t’u kushtohet informacioneve për ngjarjet e përditshme nga vendi dhe bota, 30% e kohës, aktiviteteve të partive politike në pushtet, 30% e kohës aktiviteteve të partive politike në opozitë, dhe 10% e kohës aktiviteteve të partive politike që nuk janë të përfaqësuara në Kuvend.

Koha për partitë në pushtet dhe ato në opozitë në raportime do të shpërndahet në përputhje me parimin e proporcionalitetit, sipas numrit të listave të kandidatëve të konfirmuar.

Dispozita ligjore nuk parashikon kohë për aktivitetet e kandidatëve të pavarur, respektivisht të kandidatëve nga grupet e zgjedhësve, por duke e pasur parasyshë pozitën dhe detyrimet e Servisit Publik Radiodifuziv në shoqëri, TVM2 do të informojë për aktivitetet e kandidatëve të pavarur në kuadër të 10%, të dedikuara për informacione nga fushata e partive politike që nuk janë të përfaqësuara në Kuvend.

Informacionet për aktivitetet nga fushata e partive politike në pushtet dhe në opozitë do të rotullohen çdo ditë, ndërsa toni i raportimit do të jetë neutral.

TVM2 në kuadër të mundësive që ka, do të bëjë përpjekje për të siguruar informim të rregullt  për procesin zgjedhor edhe për personat me aftësi të posaçme, që një edicion i lajmeve të emetohet në formë të titlluar.

Informimi për aktivitetet e pushtetit shtetëror dhe lokal

Aktivitetet e rregullta të organeve shtetërore, organeve të komunave dhe të institucioneve dhe organizatave të tjera me autorizime publike, në edicionet informative të TVM2, do të trajtohen në pjesën e lajmeve të rezervuara për ngjarjet nga vendi dhe bota.

Duke e pasur parasysh detyrimin nga neni 76-të, paragrafi 12 nga Kodi Zgjedhor, i cili përcakton se nga dita e shpalljes së zgjedhjeve, deri në përfundimin e tyre, informimi për aktivitetet e rregullta të organeve shtetërore, organeve komunale dhe të Qytetit të Shkupit, të institucioneve dhe organizatave shtetërore, si dhe për aktivitetet e personave juridikë dhe të tjerë, të cilëve me ligj iu është besuar ushtrimi i autorizimeve publike, nuk guxon të jetë në funksion të paraqitjes mediatike zgjedhore të asnjë subjekti politik.

TVM2 për to do të informojë në përputhje me dispozitat ligjore, me zhanre të përshtatshme gazetareske.

 

       III. ZGJEDHJET NË PROGRAMET INFORMATIVE TË VEÇANTA

Duke e pasur parasysh nevojën që qytetarët të informohen për programet dhe qëndrimet e të gjitha subjekteve politike relevante, si dhe për dallimet në qëndrimet dhe politikat e tyre, veçanërisht në periudhat e proceseve zgjedhore, TVM2 gjatë zgjedhjeve do të fokusohet në transmetimin e programeve debatuese, si një lloj programi informativ i veçantë, përmes të cilit qytetarët do të marrin më lehtë përshtypje për kandidatët dhe qëndrimet e tyre.

Në përputhje me detyrimin e saj nga neni 76-të, paragrafi 11, RTVM në Servisin e dytë programor në gjuhën shqipe – TVM2, do të transmetojë  debate politike.

Në periudhën nga shpallja e zgjedhjeve lokale deri në fillimin e fushatës zgjedhore, TVM2 do të organizojë emisione debati me përfaqësues të pushtetit dhe të opozitës. Nga fillimi i fushatës zgjedhore, do të organizohen emisione debati me kandidatët e konfirmuar për kryetarë komunash.

TVM2 do të përcaktojë rregullat e debatimit që do të vlejnë për pjesëmarrësit në debat

Për të siguruar kushte për qasje të barabartë në programet debatuese, ekipi redaktues i TVM2 do të kujdeset që pjesëmarrësit në debate të jenë në pozita të njëjta në partitë politike që i përfaqësojnë, dhe disa persona të caktuar të mos paraqiten shumë shpesh.

TVM2 i informon partitë se, kur përfaqësuesit e tyre do të marrin pjesë në debate që regjistrohen para transmetimit dhe që nuk janë drejtpërdrejtë nga studiot, nuk do të kenë të drejtë të kërkojnë korrigjimin ose fshirjen e asaj që kanë deklaruar, përveç nëse e thëna është në kundërshtim me Ligjin për shërbime mediatike audio dhe audiovizuale, standardet e profesionit të gazetarisë nga Kodi Etik i gazetarëve dhe i RTVM-së, si dhe rregullat për mbulimin e zgjedhjeve.

Moderatori i debatit duhet të sillet sipas parimeve etike dhe profesionale të paanshmërisë dhe neutralitetit ndaj të gjithë pjesëmarrësve në debat.

TVM2 do të organizojë debate, pavarësisht nëse ndonjë parti do ta anulojë pjesëmarrjen. Në një rast të tillë, do të lihet një karrige e zbrazët për ata që do të mungojnë, publiku do të informohet për arsyet e mungesës, ndërsa pjesëmarrësit e tjerë do të vazhdojnë të debatojnë.

Servisi i dytë programor në gjuhën shqipe do të përpiqet që një pjesë e programeve debatuese të jenë të qasshme edhe për personat me aftësi të veçanta.

Intervistat

Intervistat kryesisht do të transmetohen me përfaqësues të institucioneve dhe organizatave të ngarkuara për aspekte relevante të organizimit të zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Sipas nevojës, në varësi të llojit të procesit zgjedhor, TVM2 do të transmetojë edhe intervista me kandidatët e konfirmuar në zgjedhje ose me përfaqësues të partive politike.

 

       IV. PROGRAMET E TJERA INFORMATIVE DHE ARGËTUESE

Që nga shpallja e zgjedhjeve deri në përfundimin e tyre, në programet e tjera informative të veta, TVM2 nuk do të raportojë për aktivitetet parazgjedhore. Programet e TVM2 që përmbushin funksionin mediatik argëtues nuk do të përdoren për paraqitjen e pjesëmarrësve në procesin zgjedhor, as për intervista me bartës të funksioneve publike.

 

       V. INFORMIM PËR SONDAZHET E OPINIONIT PUBLIK

TVM2 do të raportojë për rezultatet e sondazheve të opinionit publik vetëm nëse është i njohur porositësi i hulumtimit dhe nëse ai është realizuar mbi një kampion përfaqësues.

Gjatë publikimit të rezultateve të sondazheve të opinionit publik do të respektohen këto parime:

     - Do të publikohen detyrimisht këto të dhëna: emri i porositësit që e ka kërkuar dhe paguar sondazhin, emri i institucionit që e ka kryer sondazhin, metodologjia e aplikuar, madhësia dhe struktura e kampionit të anketuar dhe periudha në të cilën është kryer sondazhi;

     - Do të informohet edhe për marzhën e pritur të gabimit, veçanërisht kur diferenca mes pretendentëve është brenda marzhës;

     - Rezultatet e sondazheve të opinionit publik të lidhura me pjesëmarrësit në procesin zgjedhor do të publikohen jo më vonë se pesë (5) ditë para ditës së përcaktuar për mbajtjen e zgjedhjeve për raundin e parë dhe të dytë të votimit;

     - Rezultatet e sondazheve të opinionit publik të kryera në vetë ditën e zgjedhjeve nuk do të publikohen para orës 19:00, përkatësisht para mbylljes së vendvotimeve.

 

       VI. HESHTJE ZGJEDHORE

Gjatë heshtjes zgjedhore, TVM2 do të vazhdojë të informojë për procesin zgjedhor dhe për rrjedhën e votimit. Nuk do të transmetojë përmbajtje të cilat mund të konsiderohen si shkelje e heshtjes zgjedhore. Andaj, nuk do të publikojë:

     - Çfarëdo informacioni, fotografie, materiali audio ose audiovizual të lidhur me ose ku marrin pjesë pjesëmarrës në zgjedhje;

     - Çfarëdo forme të informimit mediatik që është hapur ose fshehur në funksion të fushatës së dikujt dhe që mund të ndikojë në vendimin e zgjedhësve;

     - Të dhëna me të cilat zbulohet identiteti i subjekteve politike dhe/ose individëve të përfshirë në incidente ose parregullsi të tjera në ditën e votimit;

     - Deklarata nga kandidatët në procesin zgjedhor, nga pjesëmarrësit në fushatë, nga përfaqësuesit e partive politike dhe nga bartësit e funksioneve në organet e pushtetit.

 

       VII. PREZANTIM POLITIK PA PAGESË

Në përputhje me detyrimet për transmetimin e prezantimit politik pa pagesë nga Kodi Zgjedhor, TVM2 gjatë fushatës zgjedhore do të transmetojë prezantim politik pa pagesë të pjesëmarrësve në procesin zgjedhor. Koha për prezantim politik pa pagesë  për secilin prej pjesëmarrësve në proces do të përcaktohet sipas parimeve për mbulim të balancuar të zgjedhjeve (barazi, përkatësisht proporcionalitet) të përcaktuara në nenin 75, të Kodit Zgjedhor.

Pak para fillimit të fushatës zgjedhore, TVM2 do ta publikojë orarin e transmetimit të prezantimit politik pa pagesë. Data dhe renditja për transmetimin e prezantimit politik pa pagesë të pjesëmarrësve në fushatën zgjedhore do të përcaktohen me short.

Prezantimi politik pa pagesë në shërbimet programore televizive do të transmetohet në periudhën nga ora 16:00 deri në 23:00.

Prezantimi politik pa pagesë do të shënohet në mënyrë të përshtatshme dhe të dukshme si “prezantim politik pa pagesë” gjatë gjithë kohëzgjatjes së transmetimit.

 

       VIII. E DREJTA E KORRIGJIMIT DHE E PËRGJIGJES

Kush mund të kërkojë publikimin e korrigjimit/përgjigjes

Cilido  pjesëmarrës në procesin zgjedhor (kandidat, parti politike, koalicion etj.), si edhe çdo person fizik ose juridik, ka të drejtë nga TVM2, përkatësisht nga redaktori përgjegjës në TVM2, apo nga redaktori i programit informativ, pa kompensim, të kërkojë të publikohet:

     - Korrigjimi i një informacioni të publikuar në të cilin theksohen faktet e pasakta të publikuara, me të cilat janë cenuar të drejtat ose interesat e tij; ose

     - Përgjigje ndaj një informacioni të publikuar, nëse ka lidhje me faktet e publikuara në informacion ose ka interes të ligjshëm.

Kërkesa për publikimin e korrigjimit, përkatësisht të përgjigjes, paraqitet me shkrim:

     - E arsyetuar dhe e nënshkruar nga paraqitësi, me të gjitha të dhënat e nevojshme për të;

     - Me tregim të qartë të informacionit (ose të të dhënave) që i referohet dhe datës së transmetimit të tij.

 

Afati i publikimit dhe kushte të tjera

Gjatë procesit zgjedhor, korrigjimi, përkatësisht përgjigjja, do të publikohen në edicionin e parë pasues të programit, në të cilin është publikuar informacioni për të cilin bëhet fjalë. Nëse kërkesa për korrigjim, përkatësisht përgjigjja, nuk lidhet me procesin zgjedhor, atëherë do të zbatohen dispozitat për publikimin e tyre të përcaktuara në Ligjin për mediat (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë” nr. 184/2013 dhe 13/2014).