Botë
Afati i kushtetueses për kuvendin, Kurti: Do ta presim aktgjykimin e plotë
12.08.2025 13:29
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, nuk dha përgjigje të prerë...

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, nuk dha përgjigje të prerë nëse Lëvizja Vetëvendosje do ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me bllokadën për konstituimin e Kuvendit. Ai preferon ta pres aktëgjykimin e plotë.
“Duhet ta presim aktgjykimin e plotë. E kemi pasur më 26 qershor dhe më 8 gusht, por ky i 8 gushtit është veç njoftim”, u shpreh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 8 gusht bëri publik vendimin në të cilin i kërkon Kuvendit që kryeparlamentarin e ri ta zgjedh me votim të hapur.
Në vendimin gjyqësor njëherit theksohet se Kryesuesi i Seancës Konstituive nuk ka vepruar në pajtueshmëri me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të 26 qershorit 2025 dhe rrjedhimisht veprimet e tij janë në papajtueshmëri me paragrafin nji të nenit 116 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Kjo nënkupton përsëritjen e procedurës përkatësisht konstituimin e kuvendit me votim të hapur, brenda 30 ditësh. Poashtu vendimi saktëson se për kandidatin e njejtë të propozuar nga partia më e madhe mund të votohet deri në tre herë.
Vetëvendosje ka paralajmëruar se do ta propozojë përsëri Albulena Haxhiun për kryeparlamentare. LDK mbetet në qëndrimin se nuk do të votojë asnjë kandidat të LVV-së për kryetar të Kuvendit nëse nuk janë pjesë e një marrëveshje politike.
PDK ka thënë se nuk do të votojë për kryeparlamentarë asnjë nga anëtarët e qeverisë Kurti. AAK është shprehur e gatshme të votojë disa nga deputetët e LVV-së, por jo Albulena Haxhiun.
Ndërsa Nisma e dëshiron postin e kryeparlamentarit për Fatmir Limajn. Afati i ri 30 ditorë do të fillojë të rrjedh, sapo kushtetuesja ta publikojë në gazetën zyrtare vendimin e plotë.
GYLTEN SINANI
