Maqedoni

Marrëveshja e Ohrit, qeveria shënon 24-vjetorin e MO-së

12.08.2025 13:48

Marrëveshja Kornizë e Ohrit, një nga dokumentet më të rëndësishme politike...

Marrëveshja Kornizë e Ohrit, një nga dokumentet më të rëndësishme politike në historinë e Maqedonisë së Veriut, përkujtohet çdo vit nga institucionet shtetërore, partitë politike dhe komunitetet e ndryshme etnike, si një moment kyç i vendosjes së paqes dhe avancimit të të drejtave të qytetarëve. 
 
Këtë vit, me rastin e 24-vjetorit të saj, qeveria do të organizojë një pritje solemne në ambientet e Klubit të Deputetëve, ku pritet të marrin pjesë elita politike, diplomatike dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
 
Ngjarja zhvillohet nën përkujdesjen e zëvendëskryeministrit Izet Mexhiti, i cili do t’u drejtohet të pranishmëve me një fjalim rasti. Kjo ditë është bërë pjesë e kalendarit politik dhe shoqëror të vendit, duke kujtuar jo vetëm fundin e konfliktit të armatosur të vitit 2001, por edhe rrugën e gjatë të ndërtimit të një shoqërie më të barabartë multietnike.
 
Marrëveshja e Ohrit, dokumenti që i dha fund konfliktit ndër-etnik
 
Përndryshe më 13 gusht 2001, në qytetin e Ohrit, u nënshkrua Marrëveshja Kornizë, e arritur pas disa muajsh përleshjesh mes forcave të sigurisë dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare.
 
Dokumenti parashikoi ndryshime të thella kushtetuese dhe ligjore, duke garantuar përfaqësim të barabartë të shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera në institucionet shtetërore, përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në nivel qendror dhe lokal, si dhe decentralizimin e pushtetit.
 
Marrëveshjen e nënshkruan presidenti i atëhershëm Boris Trajkovski, kryeministri dhe kryetari I VMRO-DPMNE-së Lubço Georgievski, lideri i LSDM-së Branko Cërvenkovski, i PPD-së Imer Imeri dhe i PDSH-së Arbën Xhaferi, në prani të ndërmjetësuesve ndërkombëtar Fransoa Leotar dhe Xhejms Perdju.
 
Edhe pse zbatimi i saj ka qenë shpesh objekt debati dhe kritikash, kjo marrëveshje mbetet shembull i zgjidhjes së krizave përmes dialogut dhe kompromisit politik.
 
ERSAN PAJAZITI