Maqedoni
Gjendja me zjarret në vend, QMK: 2 zjarre aktive, digjet P.K.“Jasen”
12.08.2025 14:26
Autoritet vazhdojnë betejen me stuhitë e zjarreve në vend...

Brenda 24 orëve të fundit janë regjistruar gjithësej 16 zjarre në ambiente të hapura. Prej tyre 13 janë shuar tërësisht, zjarr në komunën e Kërcovës është duke u mbajtur nën kontroll, ndërsa dy të tjera në komunën në Makedonski Brod rezultojnë të jenë aktive.
Për momentin ekipet e përbashkëta të zjarrfikësve, armatës, dhe punonjësve lokal intervenojnë mbi vatrat e përhapura në Parkun Kombëtar “Jasen” dhe në fshatin Krap, ku tashmë është duke u djegur pyll i përzier. Për shkak të zjarrit, është mbyllur tërësisht qarkullimi nga Breznica drejt këtij parku, informojnë nga Qendra për Menaxhim me Kriza.
“Kemi dy zjarre aktive në vend, në Makedonski Brod, respektivisht në Parkun Kombëtarë Jasen si dhe në fshatin Krapë në po të njëjtën komunë. Për momentin jemi duke intervenuar ne “Jasen”me er traktorët e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim si dhe disa zjarrfikës lokal”, u shpreh drejtori i QMK-së, Muhamed Ali.
Në mesin e zjarreve të shuara brenda 24 orëve të fundit janë zjarret në Kumanovë, në komunat Bosilovë, Vrapçishtë, Tetovë, Koçan, Resnjë, Novo Sellë, Krushevë, Tearcë, Prilep, si dhe në Shkup, pranë fshatrave Radushë dhe Svilare në fshatin Shishovë dhe në fshatin Haraçinë.
Për shkak të rritjes së temperaturave, autoritetet e vendit u bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve që të kenë kujdes të shtuar gjatë pjesës së mbetur të stinsë së verës dhe në qoftëse se vërejnë zjarre aktive, mënjëherë t’i denoncojnë ato.
Sipas të dhënave të fundit prej fillim të këtij viti e deri më tani janë djegur rreth 10.000 hektarë tokë në zonat malore, dëmet e të cilave ende po përllogariten nga autoritetet e vendit.
ABIBE QAILI
