Maqedoni

24 vjet nga masakra e Lubotenit, banorët evokojnë kujtime nga dita e kobshme

12.08.2025 15:04

“Njëzet e katër vitë më parë, këta martirë ranë...

“Njëzet e katër vitë më parë, këta martirë ranë për të mos vdekur kurrë. Më 12 gusht 2001, në Luboten u vranë e u masakruan 10 civilë shqiptar, mes tyre edhe një gjashtë vjeçar. Sot, banorët e këtij fshati janë mbledhur për t’i kujtuar dhe për të treguar se kujtimi i tyre ende jeton”.
 
Ishte verë e nxehtë. Banorët e Lubotenit u zgjuan nën breshëri plumbash dhe bombardimesh. Forcat e sigurisë, të shoqëruara nga trupa speciale, rrethuan fshatin. U kry një ndër masakrat më mizore gjatë konfliktit të vitit 2001, ku mbetën të vrarë civil të pafajshëm, në mesin e tyre edhe djaloshi 6 vjeçar, Erxhan Aliu.
 
Në këtë aksion u dogjën dhjetëra shtëpi, ndërsa u arrestuan dhe u keqtrajtuan mbi 100 banorë të tjerë. Këto kujtime janë ende të freskëta për banorët e fshatit Luboten, të cilat thonë se nuk do t’i harrojnë kurrë. 
 
“Në ato ditë fshati ynë nuk dëgjoi zëra gëzimi por britma dhimbjeje, nuk u ni era e bukës së ngrohtë por tymi i shtëpive të djegura dhe mbi të gjitha zemrat tona u thyen, sepse u morrën jetë e të pafajshimeve, baballarët u rëzuan duke mbrojtur familjen, nënat u shuan duke përqafuar fëmijët, djemtë e rinj u vranë pa mëshirë, ata nuk u vranë për faj, por vetëm sepse ishin shqiptar. Pas atyre ditëve Luboteni nuk është më i njejti, ende sot ka nëna që shikojnë nga dera duke shpresuar se biri do ti kthehet, ende ka fëmijë që rriten me një fotografi në murrë në vend të babait”, u shpreh vëllau i dëshmorëve Mevledin Bajrami.
 
Kadri Jashari, që mban me krenari emrin e babait të tij të vrarë, thotë se këto 24 vite nuk ka gjetur kurrë fjalë për të përshkruar mungesën e prindit. Megjithatë, ajo që e mban të fortë është krenaria se babai i tij është dëshmor i kombit, një emër që do të jetojë përjetë në kujtesën e Lubotenasve.
 
“Mungesën e prindit e kam ni qysh prej i vogël, që prej fëmijë, por ajo që na mban neve gjallë është që ai është dëshmor i kombit dhe ai nuk do të vdesë kurrë në zemrat tona. Ata jetojnë me ne gjithmonë dhe nuk do ti harrojmë ata asnjëherë. Lavdi gjithë dëshmorëve të kombit”, theksoi djali i dëshmorit Kadri Jashari.
 
Luboteni është vula e Marrëveshjes së Ohrit shprehen banorët e fshatit, të cilët prej vitesh kërkojnë që autoritetet t’i kushtojnë më shumë vëmendje dhe të drejtojnë sytë drejt tyre.
 
“Kujtimet gjithmonë janë freskëta, kanë qenë, janë dhe do të jenë. Ne si Luboten çdoherë gushtin e përjetojmë si është më së keqti sepse kemi përjetuar një tmerr që rrallë kush e ka përjetuar. Dhimbja është aq e madhe sa që nuk mund të përshkruhet me fjalë. Edhe fëmija që ka qenë 5 vjeçar në atë kohë i ka kujtimet e freskëta, sepse nuk ishte një ditë e zakonshme por ishte një masakër, gjenocid, spastrim etnik dhe sdi me fjalë si ta përshkruaj mëtutje. Lubotenasit dhe Luboteni ka qenë vulë e marrëveshjes së Ohrid”, u shpreh banori i Lubotenit Amet Ameti.
 
Edhe këtë përvjetor banorët e fshatit bën homazhe duke vendosur lule për të nderuar të rënët.  Kujtojmë se në mëngjesin e 12 gushtit të vitit 2001, në Luboten u vranë Erxhan Aliu, Dalip Murati, Muharrem Ramadani, Memet Memeti, Rami Jusufi, Xhelal Bajrami, Kadri Jashari, Bajram Jashari, Sulejman Bajrami dhe Atulla Qaili.
 
Rasti i Lubotenit ishte rasti i vetëm që u procedua dhe u gjykua nga Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte, i cili dënoi me 12 vite heqje lirie ish-pjesëtarin e lartë të forcave të sigurisë maqedonase, Johan Tarçullovskin, por që i njejti u lirua pasi mbajti tetë vite burg, ndërsa i akuzuari i parë ish-ministri i Brendshëm, Lube Boshkovski u lirua nga akuza. 
 
ARMEND MURSELI