Repartet e disperzuara onkologjike, Aliu: Së shpejti do të fillojnë me punë

12.08.2025 15:29

Autoritet shëndetësore...

Autoritet shëndetësore janë duke punuar për t’i hapur, pajisur dhe lëshuar në përdorim të gjitha repartet e disperzuara onkologjike në brendësi të vendit tonë. Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, tha se po punohet fuqishëm për t’i ekipuar repartet e disperzuara në Tetovë, Shtip dhe Manastir, jo vetëm në aspekt kuadrosh, por edhe në pajisje por edhe në sigurimin e terapisë së duhur.

Ndërkohë po punohet për të hapur një repart të tillë edhe në spitalin “8 Shtatori” në Shkup.

“Onkologjinë e kemi në vëmendje, e dini se kemi disperzuar onkologjinë edhe në Tetovë, Shtip dhe Manastir dhe shumë shpejt do ta disperzojmë edhe në spitain ‘8 Shtatori’, për shkak se aty duhet të merret edhe një leje nga ana e ministrisë. Në aspektin e terapive onkologjike të avancuara, gjithësesi përveç mjekëve dhe infrastrukturës, do të na nevojitet edhe teknologji e cila do të kërkojë ambiente, infrastrukturë dhe trajnim të mjekëve, pra do të jetë një fazë e cila do të kërkojë më shumë kohë, pasi që bëhet fjalë për një trajtim për të cilin nuk nevojiten vetëm onkologë, por duhet edhe një eko sistem me mjekë tjerë afër në rast se komplikohet gjendja e pacientëve” – tha Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.

Klekovski: Kemi edhe decentralizim të terapisë

E pikërisht marrja e terapisë onkologjike dhe biologjike nëpër qytetet ku pacientët jetojnë, është ajo që u nevojitet, pasi që më këtë ata nuk do të jenë të detyruar të udhëtojnë qindra kilometra për të ardhur në Shkup.

Pacientët e diganostikuar me kancer të gjirit, terapinë e tyre tashmë e marrin përmes listës pozitive, tha drejtori i Fondit Shëndetësor, Sasho Klekovski.

“Hapin e parë për decentralizimin e terapisë onkologjike, tashmë e kemi bërë me listën pozitive, ku dy barna nga lista spitalore i transferuam në listën pozitive, respektivisht nëpër barnatore ku rreth 2.500 pacientë  të prekur me kancerin në gji nuk duhet të shkojnë 4 herë në vit në spitalin onkologjik për t’i marrë ato. Me këtë ne arritëm pacientët të marrin terapitë e tyre në barnatorën më të afërt, dhe njëherit të ulim numrin e kontrolleve në ambulantë për rreth 10 mijë në klinikën universitare onkologjike në Shkup.” – deklaroi Drejtori i FSSH-së, Sasho Klekovski.

Sipas të dhënave në Klinikën Universitare Onkologjike në Shkup për çdo vit po kryhen rreth 90 mijë kontrolle, ndërsa vitin e kaluar janë regjistruar rreth 5.300 pacientë të rinj të dijagonostifikuar me kancer. (Rexhep Qamili, TVM2)