Shqipëri, dhjetëra vatra zjarri në mbarë vendin
Prej disa ditësh Shqipëria po digjet nga zjarret....

Prej disa ditësh Shqipëria po digjet nga zjarret, por këtë të martë situata më e rëndë është në Gramsh, aty ku është shënuar viktima e parë. Sipas policisë bëhet fjalë për një 80-vjeçar, i cili ndezi zjarr në oborr për të djegur mbeturinat, por flakët dolën jashtë kontrollit. Ndërkohë, 6 persona janë asfiksuar dhe ndodhen në spital.
Në Gramsh dy fshatra u dogjën, ndërsa autoritetet po përpiqen të shpëtojnë banorët.
“Për shkak të zjarreve, u bëjmë thirrje banorëve të Kullollas, Bletëz dhe Menkollarë të evakuohen menjëherë,” – apeluan nga Ministria e Mbrojtjes.
Edhe në Finiq të Sarandës situata është e rënduar. Në Pecë rrezikohen disa shtëpi, ndërkohë që flakët vijojnë të përhapen.
Në Fushë Arrëz, zjarri që vijon prej ditës së djeshme në fshatin Xath, është përhapur për shkak të erës së fortë. Në parkun e “Rëzom” (zonë e mbrojtur), mbi tunelin e Skërficës vazhdon zjarri i rënë në një sipërfaqe me shkurre dhe pyje, terreni i thyer e bën të pamundur ndërhyrjen nga toka. Situata po monitorohet dhe paraqitet e qëndrueshme.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 82 automjete zjarrfikëse dhe 1080 forca operacionale. Ndërhyrje nga ajri po bëjnë edhe mjetet ajrore të ardhura nga Kroacia, Çekia, Sllovakia, Greqia dhe Emiratet e bashkuara arabe.
Në të gjithë Shqipërinë janë aktivë dhjetëra vatra zjarri. (Luljeta Ndoka, TVM2)
