Qeveria shënon 24 vjetorin e MO-së, Mexhiti: Ohri, akt vizionat i bashkëjetesës
Marrëveshja e Ohrit nuk është thjeshtë një dokument politik...

Marrëveshja e Ohrit nuk është thjeshtë një dokument politik, por është një akt vizionar dhe kontratë historike ndërmjet bashkësive që jetojnë në këtë vend. Kështu theksoi Zv.Kryeministri, Izet Mexhiti, në manifestimin solemn të organizuar nën dirigjim të tij, me rastin e 24 vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, në të cilin morri pjesë elita politike, kori diplomatik, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
“Kjo marrëveshje i dha fund konfliktit të armatosur dhe vendosi themelet për një bashkëjetesë të re, mbi parimet e demokracisë, inkluzivitetit dhe respektit të ndërsjellë. Shqiptarët dhe maqedonasit, por edhe të gjitha bashkësitë tjera etnike, nuk janë thjeshtë pjesë e një shteti, ne jemi bashkëthemelues të tij. Ne nuk mund të shmangim njëri tjetrin dhe as duhet të provojmë. Jemi të thirrur të jetojmë së bashku, të krijojmë së bashku, të ndërtojmë një të ardhme për brezat që vijnë” – tha Zv.Kryeministri, Izet Mexhiti.
Mexhiti më tej bëri thirrje që në kohë klur po afrohen zgjedhjet lokale dhe mund të ketë ngritje të tensioneve politike, të gjitha palët të dëshmojnë maturi dhe përgjegjësi politike.
Përndryshe më 13 gusht 2001, në qytetin e Ohrit, u nënshkrua Marrëveshja Kornizë, e arritur pas disa muajsh përleshjesh mes forcave të sigurisë dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare.
Dokumenti parashikoi ndryshime të thella kushtetuese dhe ligjore, duke garantuar përfaqësim të barabartë të shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera në institucionet shtetërore, përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në nivel qendror dhe lokal, si dhe decentralizimin e pushtetit. (Ersan Pajaziti, TVM2)
