Maqedoni
Akuza dhe kundërakuza për Çairin, BDI akuzon Izet Mexhitin për 20 vite keqmenaxhim
13.08.2025 14:27
Sa më shumë që afrohen zgjedhjet lokale aq më shumë ashpërsohet retorika...

Sa më shumë që afrohen zgjedhjet lokale aq më shumë ashpërsohet retorika mes partive politike shqiptare. Një nga përballjet më të forta dhe simbolike në skenën politike shqiptare është ajo në Çair, e cila pritet të jetë epiqendra e betejës politike në këto zgjedhje.
Bashkimi Demokratik për Integrim ka akuzuar, Izet Mexhitin për keqmenaxhim, korrupsion dhe pasurim personal. Në deklaratën e publikuar, BDI thekson se “Çairi nuk guxon të kthehet në duart e njeriut që për 20 vjet e shndërroi komunën në kompani private”, duke përmendur konkretisht ndërtimet e paligjshme dhe legalizimet e dyshimta që, sipas tyre, kanë shkaktuar humbje prej 225 milionë eurosh.
“Mexhiti në këto zgjedhje nuk lufton për Çairin dhe banorët, por për interesin e biznesit të tij privat. Nëse do të interesohej për banorët gjatë këtyre 20 viteve, do të kishte bërë diçka. Asnjë projekt i madh infrastrukturor, asnjë zgjidhje e qëndrueshme për problemet e banorëve vetëm ndërtesa, biznese dhe marrëveshje për rrjetin e tij të njerëzve. Prandaj, Mexhiti e di që nuk e ka mbështetjen e shqiptarëve dhe se i duhet me përulje ta kërkojë mbështetjen e Hristijan Mickoskit dhe VMRO-DPMNE-së. I ulur në prehrin e Mickoskit, shpreson se me propagandën e paguar të portaleve të VMRO-së do të shpëtojë nga humbja. Por Çairi nuk harron, dhe çairasit nuk do të lejojnë që me paratë e fituara nga krimi, Izeti të fshijë votën e tyre. E as me milionat e vjedhura nuk do të mund ta fshijë të vërtetën e 20 viteve të shkatërrimit të komunës nga ana e tij”, thuhet në komunikatën e BDI-së.
VLEN: Bujar Osmani 20 vjet nuk ka bërë asgjë për Çairin
Nga ana tjetër nuk kanë munguar edhe akuzat nga VLEN, drejtuar kandidatit për kryetar komune, Bujar Osmanit.
“20 vjet karrierë nuk ka realizuar asnjë projekt për komunën, as nuk ka ndihmuar ndonjë banor të Çairit. Ka qenë gjithmonë aty vetëm kur i duhej përfitim politik për veten e tij. Nuk ka bërë asgjë as për ndonjë komunë tjetër shqiptare. Fakte që Çairi i di: Osmani ka qenë i dyshuar në rastin gjyqësor “Pacienti” dhe ka marrë amnisti për tenderë të paligjshëm. Kujt i detyrohet për atë amnisti, duhet të jap përgjigje. Ka disa raporte negative nga Enti Shtetëror i Revizionit për shpenzime të paligjshme në vlera milionëshe si ministër i Shëndetësisë. Si ministër i Punëve të Jashtme shpenzoi 120 milionë denarë për Samitin e OSBE-së pa asnjë dokument dhe mbulim ligjor”, thuhet në komunikatën e VLEN.
Përballja mes dy ish-aleatëve, që dikur ndanin të njëjtën platformë politike brenda BDI-së, tashmë shënon një ndarje të qartë mes dy blloqeve kryesore shqiptare në vend. Zgjedhjet lokale në Çair dhe në të gjithë vendin do të mbahen më 19 tetor.
ARMEND MURSELI
