24 vjetori i MO-së, Mickoski: Të sigurojmë të ardhme të ndritur
Sot 24 vite më parë, më 13 gusht 2001...

Sot 24 vite më parë, më 13 gusht 2001 u nënshkrua Marrëveshja e Ohrit, e cila i dha fund konfliktit të armatosur dhe u konsiderua si garantuese e bashkëjetesës dhe barazisë ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve.
“MO nuk është vetëm një letër e thjeshtë por është simbol i pjekurisë, guximit dhe mençurisë”.
Kështu u shpreh kryeminsitri Hristijan Mickoski në seancën solemne kushtuar shënimit të 24 vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit në Shkup.
Sipas tij, MO rikujton se të gjithë në këtë vend ndajmë një histori ku të gjithë kemi obligim të sigurojë të ardhme më të mirë për qytetarët, pavarësisht përkatësisë etnike, fesë ose kuluturës.
"Si politikan nuk njoh botë të vogël apo të madhe, të këtillë apo të atillë, por vetëm një botë - Maqedonia, botë e të gjithë qytetarëve të vetë, ku kemi për obligim të gjithë të sigurojmë të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët e saj. Së bashku të ndërtojmë dhe së bashku t'i zgjidhim problemet. Valixhet të cilat largohen nuk kanë nacionalitet. Njerëzit shkojnë, edhe fshtatrat po zbrazen, edhe maqedonas, edhe shqiptarë, edhe turq, edhe romë, edhe vllehë, edhe boshnjakë dhe të gjithë. Ajo është porosia më e mirë e popullit ndaj atyre të cilët për mbi 20 vite manipulojnë se punojnë për ta, ndërkaq vazhdimisht i ndajnë" – tha Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.
Mexhiti: Përforcojmë përdorimin e gjuhëve
Zëvëndëskryeministri Izet Mexhiti, me këtë rast tha se MO nuk është vetëm një kujtim, por është një proces i gjallë i cili duhet të përkthehet në ligje të drejta dhe politika gjithpërfshirëse nëpër institucione që do tu shërbejnë qytetarëve.
Qeveria, tha Mexhiti, mbetet e përkushtuar për të krijuar një sistem institucional dhe ligjor përmes të cilit do të garantohet barazi reale dhe jo vetëm formale.
Një nga to është edhe përforcimi ligjor i pëdorimit të gjuhëve sipas parimeve të MO - së dhe Kushtetutës.
“Gjykata Kushtetuese duhet të interpretojë ligjet konform kushtetutës dhe frymës së saj, jo vetëm të bëjë lexim bardh e zi, të neneve të saj për këtë arsye. Qeveria po përforcon përdorimin e gjuhëve sipas parimeve të Marrëveshjes së Ohrit dhe kushtetutës se vendit, në të gjitha nivelet e administratës dhe jetës publike, si simbol i barazisë dhe respektit ndëretnik. Thënë thjeshtë, përdorimi i gjuhës shqipe në institucione publike nuk është shfuqizuar, por po bëjmë përpjekje për përforcimin e saj në rrethana kur ligji aktual gjendet i kontestuar para Gjykatës Kushtetuese.” – deklaroi Zv.Kryeministri i vendit, Izet Mexhiti.
BDI: MO është garancë e së ardhmes europiane
Në ndërkohë BDI vlerëson se brenda dy dekadave e gjysëm falë zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit e cila vulosi paqen, shqiptarët e këtij vendi arritën shumë sukses, siç është ndryshimi i Kushtetutës. U sigruara përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe u afrimuan simbolet kombëtare u ndërtuan universitete, shkolla, spitale e infrastrakturë moderne, ku shqiptarët u përfaqësuan në të gjitha institcuonet duke arritur, deri tek posti i Kryeministrit të parë shqiptar, mirëpo tani BDI është e shqetësuar për tentimet e disave, për ti zhvlerësuar këto të arritura.
“Si autorë dhe zbatues të Marrëveshjes së Ohrit, ne nuk do të lejojmë revizion të saj apo tentime për t’i zhvlerësuar të arriturat e përbashkëta. Populizmi afatshkurtër dhe lojërat elektorale nuk mund të zëvendësojnë përgjegjësinë e burrështetasve që mendojnë për të ardhmen e vendit. Ata që nuk kanë dhënë asnjë kontribut kombëtar dhe sot shfaqen si gjykatës të historisë, nuk mund të vendosin mbi sakrificat dhe fitoret e popullit tonë. Marrëveshja e Ohrit nuk është pronë e askujt, por trashëgimi e përbashkët dhe garanci e barazisë së qytetarëve”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Edhe kryeparlamentari Afrim Gashi në ndërkohë tha se Marrëveshja e Ohrit është themeli për barazi dhe paqe, dokument strategjik i cili duhet të shndërohet në një standard praktik që garanton funskionimin demokratik të shtetit.
Përfaqësuesit e ekzekutivit thanë se Qeveria do të vazhdojë me zbatimin e politikave gjithëpërfshirëse në arsim dhe kulturë dhe po punohet në ndërtimin e një shërbimi civil multietnik, në të cilin përfaqësimi etnik, nuk do të jetë vetëm statistik, por vlerë e shtuar për efikasitetin dhe besueshmërinë e institucioneve, ndërkohë nga BDI-ja thanë se më shumë se kurrë është koha e qëndrimit të bashkuar, të lidhur për të mbrojur dinjitetin kombëtar. (Rexhep Qamili, TVM2)
