Marrëveshja e Ohrit pas 24 viteve, Neziri: Mungon vlerësimi i zbatimit të plotë të saj
Në përvjetorin e Marrëveshjes së Ohrit...

Në përvjetorin e Marrëveshjes së Ohrit, e njohur si marrëveshje e paqes që i dha fund konfliktit të vitit 2001 dhe që hodhi bazat për rritjen e të drejtave të shqiptarëve në vend, pothuajse pas dy dekadave e gjysëm, njohësit e çështjes vlerësojnë se Korniza Paqësore që ngërthen në vete paqen, mirëqenien, i hapi rrugën Marrëveshjes së Prespës, që çoi në NATO dhe rrugës për në Bashkimin Evropian dhe ky qëllim madhor u arrit, thotë analisti Neziri.
“Sot RMV-ja është anëtare e NATO-s, në rrugë për t’u integruar në BE dhe orientimi strategjik i vendit është një dilemë e përfunduar, pra i është vënë pikë debatit se kah duhet të lëviz vendi, një e mirë për tërë qytetarët dhe në veçanti për shqiptarët etnik.” – thotë analisti politik, Xhelal Neziri.
Sa i përket zbatimit të plotë saj, Neziri thekson mungesën e një analize të saktë që matet me dimensionin e dispozitave, zbatimin e ligjeve që dolën nga Marrëveshja e Ohrit dhe rezultatet konkrete.
Për momentin, sipas tij kemi një perceptim të qartë se shqiptarët jetojnë më mirë se para 2001-shit por nuk i kemi evidencat e jetësimit të dokumetit, shton Neziri.
“Nuk është bërë një analizë kualitative. Ligjet deri diku janë sjellur. Nuk e dimë sa është zbatuar dhe sa ai zbatim ka sjellur rezultate që janë planifikuar. Nuk e dimë se çfarë është implementuar, miratuar dhe rezultatet që janë sjellur. Mund të flasim për perceptime dhe perceptimet janë se shqiptarët jetojnë shumë më mirë se para-MO-së dhe kjo mendoj se është vetëdija më e madhe ndërkohë që nevojitet të ketë analizë ‘eks post’, siç e thonë juristët, që të shihen rezultatet, ku janë pikat e forta dhe të dobëta, si të bëhet krejtësisht funksional dhe ta bëjë shtetin edhe më funksional.” – deklaroi Neziri.
Përveç zyrtarizimit të gjuhës shqipe, dokumenti politik me garanca ndërkombëtare përfshiu edhe zhvillimin e pushtetit vendor, mosdiskriminimin, përfaqësimin e drejtë dhe avancimin që lidhet me gjuhën, kulturën, arsimin dhe simbolet. (Nermin Fejzullahu - Mulaki, TVM2)
