Shqipëri, betejë për shuarjen e zjarreve
Shqipëria vijon betejën me flakët e zjarrit...

Shqipëria vijon betejën me flakët e zjarrit. Delvina është e rrethuar nga zjarri edhe sot, pas luftës së mbrëmshme me flakët që depërtuan deri në qytet. Zjarret kanë rrethuar kodrat e qytetit, ndërsa nga ajri po ndërhyhet me dy helikopterë.
Energjia elektrike është ndërprerë. Aktualisht zjarri po rrezikon puset e gazit në këtë lagje. Mes panikut, banorët nxituan të largohen, duke lënë pas mundin e jetës.
Disa prej tyre u lënduan, ndërsa rrëfejnë tmerrin e atyre orëve të vështira.
“Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes thotë se efektivët e Forcave të Armatosura kanë arritur të ndalojnë avancimin e flakëve drejt banesave në Delvinë. Situatë emergjente është edhe në Gramsh, veçanërisht në fshatin Nartë të njësisë administrative Skënderbegas.
Aty veprojnë 3 helikopterë për shuarjen e flakëve. Mbrojtja ka kërkuar evakuim të banorëve nga fshati Nartë.
Rama: Do të ketë dënime të ashpra
Kryeministri shqiptarë, Edi Rama, ka shprehur mirënjohje për zjarrfikësit që luftojnë me flakët duke rrezikuar jetën e tyre, ndërsa paralajmëroi zjarrvënësit për dënime të ashpra.
Dhjetëra banesa janë djegur, ndërsa në të gjithë Shqipërinë gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 64 vatra zjarri, nga të cilat 24 janë ende aktive. (Luljeta Ndoka, TVM2)
