Lugina e Preshevës, këtë vit janë pasivizuar 200 adresa të shqiptarëve

14.08.2025 13:33

Në periudhën janar- korrik 2025 autoritetet serbe...

Në periudhën janar- korrik 2025 autoritetet serbe i kanë pasivizuar 200 adresa të shqiptarëve në Preshevë dhe Bujanoc. Këtë e ka bërë të ditur Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Nevzad Lutfiu, duke u bazuar në të dhënat e siguruara nga stacionet policore në Bujanoc dhe Preshevë.

“E frikshme, po shuhemi! Më datë 04.08.2025, i kërkova qasje në informacione stacioneve policore në Bujanoc dhe Preshevë, me pyetjen: Sa adresa janë pasivizuar në këto dy komuna, nga janari deri në korrik 2025? Përgjigjen me shkrim e mora dje: gjatë periudhës së lartpërmendur, në Komunën e Preshevës janë pasivizuar 174 adresa, ndërsa në Komunën e Bujanocit 26 adresa. Dyshoj se të dhënat për Komunën e Bujanocit janë të sakta (jam në pritje të një përgjigjeje tjetër për ta vërtetuar). Sidoqoftë, në total, brenda 7 muajve, në këto dy komuna me shumicë shqiptare janë pasivizuar 200 adresa. Ajo që po ndodh është racizëm, një spastrim i pastër etnik. U bëj thirrje të gjithë akterëve politikë shqiptarë që të mblidhen për t’u koordinuar dhe për të bashkëvepruar”, shkruan Lutfiu në facebook. Pasivizimi i adresave nënkupton fshirjen e qytetarëve prej adresave ku kanë qenë të regjistruar dhe humbjen e shtetësisë së serbisë.

Kjo çështje është përmendur edhe në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut në Serbi, për vitin 2023, ku theksohet se pasivizimi i adresave duket se është kryer në mënyrë joproporcionale ndaj shqiptarëve, sidomos në Medvegjë. Nëntorin e kaluar edhe Bashkimi Evropian ka thënë se është në dijeni për shqetësimet e shqiptarëve në jug të Serbisë në lidhje me pasivizimin e adresave dhe i bëri thirrje Beogradit zyrtar ta sqarojë këtë çështje.

Ndërsa zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka deklaruar se mbrojtja dhe avancimi i të drejtave të shqiptarëve në Serbi nuk është vetëm nevojë, por “edhe domosdoshmëri”. (Gyltene Sinani, TVM2)