MO-ja shënjestër për akuza partiake, VLEN: BDI kornizën e përdori për fitime të veta
Përvjetori i Marrëveshjes së Ohrit...

Përvjetori i Marrëveshjes së Ohrit pretekst për partitë politike për të shkëmbyer akuza rreth jetësimit të këtij dokumenti paqësor.
Sipas koalicionit VLEN, BDI për 22 vite në pushtet nuk arriti ta implementojë Marrëveshjen Kornizë për barazinë e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, dhe se moszbatimi i saj vazhdon të rëndojë mbi institucionet shtetërore.
Ata shprehen të vendosur për ta implementuar marrëveshjen plotësisht dhe zotohen se kjo do të reflektohet në jetën e përditshme të qytetarëve.
“Fajtorin kryesor e dimë të gjithë: BDI, partia nongrata që për 22 vite rresht ishte në pushtet dhe që, në vend se të kthente Marrëveshjen në realitet, e përdori si flamur elektoral dhe si bankomat për pasurim personal. BDI nuk i zbatoi kurrë detyrimet ligjore për përfaqësim të drejtë në kompanitë shtetërore, adresim të gjuhës së urrejtjes në Kodin Penal, decentralizim me buxhet konkret dhe zgjidhje të statusit të viktimave të vitit 2001. Asnjë nga këto nuk u bë realitet sepse për BDI-në, Marrëveshja e Ohrit nuk ishte mjet për barazi, ishte mjet për tendera, pasurim dhe për t’u fshehur pas analizave të sajuara sa herë që dështimet e tyre bëheshin të dukshme” - akuzojnë nga VLEN.
BDI: Marrëveshja e Ohrit nën sulm
Ndërkohë, BDI janë kundërpërgjgijur se shënimi i 24-vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit nga kjo qeveri nxori edhe një herë në pah një ironi të hidhur: personi që historikisht ka mohuar Marrëveshjen e Ohrit, Ivan Stoilkoviç, sot ka kompetencë ligjore mbi zbatimin e saj.
Rezultatet janë të dukshme: çdo ditë kjo marrëveshje sulmohet dhe përpjekjet për ta zbatuar sabotohet nga brenda institucioneve.
“Në vend që kjo ditë historike të shënohej si triumf i paqes dhe i barazisë, u shndërrua në skenë politike të VMRO-së dhe aleatëve të saj, ku Marrëveshja u përmend si çështje e mbyllur, vetëm për të relativizuar vlerën e saj. Edhe më tronditëse ishte mungesa e plotë e përfaqësuesve ndërkombëtarë. Për herë të parë që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, kjo ditë kaloi pa praninë e miqve tanë strategjikë nga SHBA dhe BE. Kjo nuk është rastësi, është tregues i izolimit të plotë të kësaj qeverie, e cila ka braktisur kursin euroatlantik për të ndërtuar aleanca të rrezikshme me Serbinë dhe Rusinë. “Dimri i vetmisë së madhe” për qeverinë është fakt, jo metaforë”, theksojnë nga BDI. Sipas partisë opozitare, simbol i këtij izolimi ishte edhe koncerti i organizuar nga VLEN me tenorin me renome botërore Rame Lahaj, i cili në vend të kthehej në një ngjarje kombëtare si dikur, u zhvillua në një sallë të vogël, pa praninë e ambasadorëve, pa krerë shtetesh shqiptare, pa asnjë personalitet serioz diplomatik. BDI riafirmon se Marrëveshja e Ohrit nuk është vetëm dokument historik, është themeli i paqes, stabilitetit dhe integrimit euroatlantik të vendit. Çdo përpjekje për ta mohuar ose për ta minuar është sulm ndaj barazisë së qytetarëve dhe të ardhmes së Maqedonisë së Veriut. Shqiptarët dhe aleatët tanë strategjikë nuk do ta lejojnë kurrë këtë,” - thonë nga BDI.
