Trump, nëse Putini s’e ndal luftën, do të ketë pasoja
Do të ketë “pasoja shumë të rënda”...

Do të ketë “pasoja shumë të rënda”, nëse presidenti rus, Vladimir Putin, nuk pranon të ndalë luftën kundër Ukrainës. Kështu ka deklaruar Presidenti amerikan, Donald Trump, në një pyetjeje të një gazetari pa dhënë më shumë sqarime se cilat mund të jenë pasojat.
“Në takimin me Putinin mund të arrihen disa gjëra të mëdha, do të jetë një takim shumë i rëndësishëm që vendos themelet për të dytin. Nëse kalon produktivisht, sepse do të kuptoj se ku jemi dhe çfarë po bëjmë, shumë shpejt, pothuajse menjëherë do të kemi një takim të dytë mes Putinit dhe Zelenskit, dhe me mua, nëse dëshirojnë që të jem aty.” – tha Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.
Liderët evropian, të mbrohen interesat e Evropës dhe Ukrainës
Deklarata erdhi pak pasi Trump në një takim virtual u konsultua me liderët evropianë, të cilët thanë se presidenti amerikan u kishte siguruar që do ta bënte prioritet përpjekjen për të arritur një armëpushim në Ukrainë.
Kancelari gjerman Friedrich Merz, i cili thirri takimin theksoi se interesat e sigurisë së Evropës dhe Ukrainës duhet të mbrohen.
“Ne e kemi bërë të qartë se Ukraina duhet të jetë në tryezë sapo të mbahen takimet e mëtejshme. Duam që negociatat të vazhdojnë sipas një rendi të rregullt. Në fillim duhet të ketë një armëpushim”. – u shpreh Kancelari gjerman, Friedrich Merz.
Në linjë të njejtë me kancelarin gjerman, edhe Kryemisnitri britanik, Keir Starmer dhe ai francez Emmanuel Macron.
“Duhet ta kombinojmë diplomacinë aktive nga njëra anë, me mbështetjen ushtarake për Ukrainën dhe presionin ndaj Rusisë. Që gjithçka të bashkohet si gjithmonë. Së pari dhe qartë: nuk mund të ketë negociata për Ukrainën pa Ukrainën, dhe bashkë me këtë, kufijtë ndërkombëtarë nuk mund dhe nuk duhet të ndryshohen me forcë”. – deklaroi Kryeministi i Britanisë së Madhe, Keir Starmer.
“Çështjet e territoreve të pushtuara do të jenë elemente kyçe të negociatave të paqes. Ato janë të pandashme nga garancitë e sigurisë që jepen për pjesën tjetër të territorit ukrainas dhe për Evropën, dhe nuk mund të diskutohen pa praninë e presidentit ukrainas në tryezë”. – tha Presidenti i Francës, Emmanuel Macron.
Zelensky: Putin po bën bllof, nuk dëshiron paqe
Por presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, thotë se presidenti rus Putin, nuk është i interesuar për paqe, prandaj bëri thirrje për më shumë presion ndaj tij.
“I thashë presidentit të SHBA-ve dhe të gjithë kolegëve tanë evropianë: Putini po bën bllof. Ai po përpiqet të ushtrojë presion në të gjitha frontet në Ukrainë para takimit në Alaskë dhe ta paraqesë Rusinë si të aftë për ta pushtuar të gjithë Ukrainën” – deklaroi Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Presidenti amerikan Trump ka lënë të kuptohet se armëpushimi mund të përfshijë një “shkëmbim” territoresh, pasi një nga kërkesat e presidentit rus, është që Ukraina t’i dorëzojë pjesë të rajonit Donbas.
Por, Zelensky e ka hedhur poshtë çdo propozim që do të komprometonte integritetin territorial të Ukrainës, diçka që ndalohet edhe nga kushtetuta e Ukrainës. (Gyltene Sinani, TVM2)
