Mickoski, RMV ndër vendet me çmim më të lirë të energjisë

14.08.2025 17:31

Ministria e Energjisë, Burimeve Minerale dhe Minierave...

Ministria e Energjisë, Burimeve Minerale dhe Minierave ka shpallur thirrje publike ku mund të aplikojnë familjet që plotësojnë kushtet për subvencionimin e faturave të energjisë elektrike.

Këtë e bëri të ditur kryeministri, Hristijan Mickoski, duke saktësuar se për këtë qëllim janë parashikuar 40 milionë denarë. Ai njëherit theksoi se brenda 14 muajsh që nga formimi i qeverisë aktuale nuk ka pasur rritje të çmimit të energjisë elektrike.

“Në disa periudha të rregullimit të energjisë elektrike, që nga ardhja e kësaj Qeverie tanimë 14 muaj, ne nuk kemi pasur rritje të çmimit të energjisë elektrike për amvisëritë, që nuk është rasti në rajon. Nëse shihni shtetet e tjera, do të shihni se atje energjia elektrike është rritur me 15, 20, e në disa vende të fqinjësisë edhe me 30 për qind. Edhe sipas Eurostat dhe të gjithë parametrave të tjerë, ne jemi një nga tre vendet  në Evropë me çmimin më të ulët të energjisë elektrike për amvisëritë.” – tha Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.

Për mbështetje financiare për energjinë elektrike të konsumuar mund të aplikojnë personat me aftësi të kufizuara, personat plotësisht të verbër dhe personat plotësisht të shurdhër.

Me këtë program ofrohet mbështetje financiare prej 1.000 denarësh në muaj, për një periudhë prej 12 muajsh, përmes uljes direkte të faturave të energjisë elektrike. (Abibe Qaili, TVM2)