Aliu, mbi 70 milion euro për spitalin Klinik të Tetovës

14.08.2025 17:51

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu...

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, ka qëndruar në Tetovë ku ka deklaruar se do të investohen mbi 70 milionë euro për ndërtimin e Qendrës Klinike.

Siç bëjnë të ditur nga Ministria e Shëndetësisë, ministri Aliu, ka zhvilluar një takim pune me drejtorin e Spitalit Klinik të Tetovës, Erzen Elezi dhe ekipin e tij, si dhe me Kryetarin e Tetovës, Bilall Kasami, ku ka theksuar se: Tashmë ka kaluar në seancë të Qeverisë informacioni për 205 milion euro investime në Tetovë, Kërçovë dhe Shtip. 

Investimi i përgjithshëm për Tetovën arrinë mbi 70 milionë euro, për të gjithë kampusin, pra për dy objekte të reja dhe tre objekte infrastrukturore ekzistuese që duhet të rinovohen. Sa i përket punësimeve të reja në këtë institucion, ministri informoi se procedura është në zhvillim, të gjithë kandidatët që kanë aplikuar në konkurs po testohen dhe, për shkak të pengesave ligjore, hapi i fundit i kësaj procedure do të mund të realizohet vetëm pas përfundimit të zgjedhjeve lokale.

Aliu poashtu ka theksuar se sipas analizave në Tetovë ka nevojë për 300 punësime të reja, pas së cilës do të hapet edhe një procedurë e re për punësime.