Murtezani: Në rrugën drejt BE-së, nuk duhet të jemi peng i bllokadave dypalëshe
Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar...

Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar ndaj rrugës së integrimit në Bashkimin Evropian, mirëpo nuk duhet të jetë peng e bllokadave politike. Kështu u shpreh ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, gjatë takimit me homologun e tij irlandez, Tomas Birn, nga i cili pret mbështetje në këtë proces.
“Besojmë që çdo vend kandidati duhet të vlerësohet mbi bazën e meritave të veta dhe jo të bëhet peng i çështjeve dy palëshe dhe bllokadave politike. Kjo është parakusht për ruajtjen e kredibilitetit të idesë evropiane. Irlanda në këtë drejtim ka rol shumë të rëndësishëm, si anëtare e BE-së që nga viti 1993, ajo përfaqëson shembull të suksesshëm të shfrytëzimit të mundësive të cilat i sjell antarësimi, përmes investimeve dhe përforcimit të institucioneve” – tha Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani.
Birn: Rruga drejt BE-së patjetër të ketë epilog pozitiv
Ministri për Çështje Evropiane i Irlandës, Tomas Birn, tha se rruga drejt Bashkimit Evropian është e gjatë, por se do të ketë një epilog pozitiv.
Ai theksoi se Irlanda do ta mbështesë fuqishëm Maqedoninë e Veriut në procesin e integrimit evropian.
“E vlerësoj faktin se rruga juaj për anëtarësim në BE është shumë e gjatë, e mundimshme dhe shihet sikur nuk ka fund, por patjetër ta çojmë në fund, patjetër të ketë epilog pozitiv dhe shpresoj se do të mund të punoj me ju në aspekt dy palësh, por edhe me kolegët e BE-së. Ne jemi këtu për të ju mbështetur. I mbështesim ambiciet e juaja dhe do të ofrojmë çdo ndihmë që ky proces të jetë i drejtë”. – u shpreh Ministri për Çështje Evropiane i Irlandës, Tomas Birn.
Në vitin 2026 Irlanda do të kryesojë presidencën e këshillit të Bashkimit Evropian, që sipas Birn dhe Murtezanit do të jetë një mundësi për të avancuar këtë proces. (Armend Murseli, TVM2)
