Serbi, arrestohen dy shtetas të Kosovës

14.08.2025 20:01

Dy shtetas të Kosovës janë arrestuar në Serbi...

Dy shtetas të Kosovës janë arrestuar në Serbi nën dyshimet se si pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë kryer krime lufte kundër popullsisë civile.

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ka bërë të ditur se ka ndaluar personat me inicialet X.E dhe B.E në pikën kufitare mes Serbisë dhe Hungarisë, Horgosh.

Autoritetet serbe kanë thënë se dyshojnë që në vitin 1999, të ndaluarit e kanë kidnapuar një serb me inicialet J.M në Rahovec, e kanë dërguar në një drejtim të panjohur dhe që prej atëherë nuk dihet asgjë për të.

Ministria serbe ka thënë se i ka ndaluar dy personat për 48 orë dhe më pas ata do të dalin para prokurorit të rastit.

Ky njoftim ka ardhur në periudhën kur autoritetet serbe i kanë shpeshtuar ndalimet e shqiptarëve të cilët i akuzon se kanë bashkëpunuar apo kanë qenë pjesëtarë të UÇK-së, ose për arsye tjera.

Më 22 korrik është arrestuar Lulzim Halili, nën dyshimet se ka qenë pjesëtar i UÇK-së. Organizata e veteranëve të UÇK-së, e ka hedhur poshtë këtë pretendim.