Lufta kundër gjuhës së urrejtjes në RMV, Tuneva: Mediat dhe edukimi kanë një rol kyç

15.08.2025 14:43

Lufta kundër gjuhës së urrejtjes në Maqedoninë e Veriut...

Lufta kundër gjuhës së urrejtjes në Maqedoninë e Veriut ngelet akoma një sfidë për shoqërinë në vendin tonë. 

Por si mund të shmangim këtë fenomen dhe të ndërtojmë një shoqëri të respektit dhe tolerancës dhe cili është roli i mediave në këtë drejtim?

Ekspertët janë të mendimit se rritja e vetëdijes për pasojat e përdorimit të gjuhës së urrejtjes përbën një hap të rëndësishëm në shmangien e kësaj dukurie negative, ndërkaq  mediat, mund të luajnë një rol kyç në këtë drejtim.

“Në kontekstin e shoqërisë sonë, e cila ka një histori të gjatë polarizimi dhe tensionesh politike, roli i medias në parandalimin e gjuhës së urrejtjes është një detyrë etike, një detyrim shoqëror dhe një instrument për ndërtimin e paqes. Të përkujtojmë gjithashtu se mediat duhet t'i përmbahen vazhdimisht Kodit të Gazetarëve të Maqedonisë, veçanërisht dispozitave që ndalojnë nxitjen e diskriminimit dhe urrejtjes për arsye të ndryshme”. – tha Eksperti i Etikës së Medias, Dr.Marina Tuneva.

“Kur shfaqet dezinformim ose gjuhë urrejtjeje, veçanërisht në një kontekst, politikisht ose etnikisht të ndjeshëm, mediat duhet të reagojnë në kohën e duhur me fakte, analiza dhe shpjegime të verifikuara” - thotë Tuneva.

Sipas saj gjuha e urrejtjes jo gjithnjë mund të jetë spontane.

“Gjuha e urrejtjes nuk është gjithmonë vetëm një shprehje spontane ose e pamenduar e intolerancës. Shpesh është një mjet strategjik që përdoret me vetëdije për qëllime politike, ekonomike, ideologjike ose të tjera. Fatkeqësisht, gjuha e urrejtjes në vendin tonë shpesh instrumentalizohet shumë herë, me pasoja të rënda për demokracinë, unitetin dhe sigurinë e qytetarëve. Politikanët dhe partitë shpesh manipulojnë duke nxitur urrejtje ndaj ‘tjetrit’ si një mënyrë për të forcuar besimin në elektoratin e tyre.” – shprehet Eksperti i Etikës së Medias, Dr.Marina Tuneva.

Edukimi mediatik, rritja e ndërgjegjësimit dhe roli aktiv i mediave janë të domosdoshme për të krijuar një shoqëri ku diversiteti do të jetë i respektuar, ndërsa gjuha urrejtjes e papranueshme, nënvizojnë ekspertët. (Armend Murseli, TVM2)