Punësimet në Spitalin e Tetovës pezull, BDI: Është manipulim, ministri të jap dorëheqje

15.08.2025 15:06

Bashkimi Demokratik për Integrim kërkon dorëheqjen...

Bashkimi Demokratik për Integrim kërkon dorëheqjen e ministrit të shëndetësisë, Azir Aliu, për siç thonë, mashtrime për punësim në Spitalin Klinik të Tetovës.

Sipas opozitës shqiptare, duhet të  hidhen poshtë manipulimet politike, kur një ministër hapur deklaron se çështja është kryer, pastaj akuzon të tjerët.

“Dje kemi dëshmuar një absurditet skandaloz: Azir Aliu e demanton Azir Aliun! Fillimisht njoftoi për punësime, pastaj i mohoi ato, duke dëshmuar se i gjithë procesi ishte një gënjeshtër politike për të fituar pikë elektorale mbi kurrizin e qytetarëve dhe punëtorëve të shëndetësisë”.

ASH: Shpërfillje me nëpunësit shëndetësor

Aliu u akuzua  edhe nga Aleanca për Shqiptarët, prej ku thonë se ai po bën abuzim politik dhe shpërfillje të dinjitetit të profesionistëve të shëndetësisë.

“Më 22 korrik 2025, Aliu doli para kamerave me një shfaqje teatrale, duke shpallur me bujë se ‘problemi është zgjidhur’ dhe punësimet janë të garantuara. Ai e quajti ‘turp’ dhe ‘jo njerëzore’ çdo vonesë. Tre javë më pas, më 14 gusht, ky ministër pa skrupuj ndryshon fjalën: punësimet shtyhen për pas zgjedhjeve, me arsyetimin qesharak ‘për shkak të standardeve dhe ligjeve’.”- thuhet në komunikatën e ASH-së së Taravarit.

VLEN: BDI dhe ASH dështuan, ne po rregullojmë

Akuzave të BDI-së dhe ASH-së i është përgjigjur koalicioni VLEN. Kërkojnë nga këto subjekte që të mos japin leksione morali, sepse konsiderojnë se s’bënë asgjë për këtë dikaster derisa ishin në pushtet.

“Reagimi i BDI-së ndaj ministrit të Shëndetësisë, dr. Azir Aliu, është hipokrizia më e madhe që mund të prodhojë një parti që për mbi dy dekada e ka shkatërruar sistemin shëndetësor, e në veçanti Spitalin e Tetovës, të cilin e ka lënë në gjendje mjeruese dhe të padenjë për qytetarët. Nëse sot kemi nevojë për një Qendër Klinike moderne në Tetovë, kjo është pikërisht për shkak të neglizhencës dhe dështimit të BDI-së, e cila 20 vite ka marrë pushtetin me votat e qytetarëve dhe ka kthyer vetëm zhgënjim. Le të mos harrojmë: kur Arben Taravari ishte ministër i Shëndetësisë, në vetëm një vit nuk solli asnjë projekt madhor, por la pas vetëm skandale” – kundërpërgjigjen nga VLEN. 

Qeveria ku bën pjesë VLEN ka marrë vendim historik: mbi 70 milionë euro do të investohen në ndërtimin e Qendrës Klinike më moderne në rajon, në Tetovë, thuhet në reagimin e koalicionit VLEN. (Nermin Fejzullahu – Mulaki, TVM2)