Serbi, sërish incidente gjatë protestave antiqeveritare

15.08.2025 15:28

Në Beograd dhe Novi Sad...

Në Beograd dhe Novi Sad, edhe mbrëmja e së enjtes kaloi me incidente gjatë protestave kundër Qeverisë, ku protestuesit u përplasën me policinë.

Në 30 qytete u mbajtën protesta, si nga kundërshtarët e pushtetit të Vuçiqit, ashtu edhe nga mbështetësit e tij.

Në Novi Sad u demoluan ambientet e Partisë Përparimtare Serbe.

Pranë ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm në Beograd janë hedhur mjete piroteknike ndaj qytetarëve. Më herët, njësitë e xhandarmërisë serbe kishin shtyrë demonstruesit më afër ndërtesës së Qeverisë, për t’i ndarë nga përkrahësit e pushtetit të mbledhur aty pranë.

Një grup burrash përkrahës të pushtetit me shkopinj ishin mbledhur më herët në afërsi të Shtabit të Përgjithshëm.

Në protestën në Nish ka pasur disa incidente të vogla, kur demonstruesit kanë goditur policinë me vezë. Dhjetëra qytetarë dhe policë u plagosën, ndërsa ka edhe shumë të arrestuar.

“Tani është momenti kur të gjithë duhet të dalim dhe të tregojmë se nuk jemi të frikësuar dhe se përpjekjet e tyre për të përdorur dhunë për të penguar protestat e qytetarëve dhe studentëve nuk do të kenë sukses”. – tha Aleksa Petkoviq, banorë i Beogradit

“Situata po përshkallëzohet, ata nuk prisnin kaq shumë rezistencë, kaq shumë energji në mesin e muajit gusht, gjë që mund të jetë një tregues shumë i keq për ta”. – deklaroi Zoran Lutovac nga Partia Demokratike.

Policia serbe pretendon se është sulmuar brutalisht nga protestuesit të cilët kanë bërë shkelje të rendit dhe qetësisë publike.

“Pati shkelje masive dhe serioze të rendit dhe qetësisë publike në të gjithë Serbinë nga bllokuesit. U sulmuan dhe u demoluan objekte, u sulmua masivisht dhe brutalisht policia. Duhet të them se nuk kemi parë sulme kaq të mëdha ndaj policisë prej vitesh.” – tha Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiç.

Edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq, i bëri fajtorë për trazirat protestuesit, të cilët i quajti armiq të vendit të tyre, pasi nxisin dhunë. (Gyltene Sinani, TVM2)