Pajisjet shkollore, prej sot ulen çmimet prej 10 deri në 15%

15.08.2025 15:48

Prej sot e deri më 15 shtator...

Prej sot e deri më 15 shtator, tregtarët janë të obliguar ti ulin çmimet e pajisjeve shkollore. Me vendim të Qeverisë çmimet e pajisjeve shkollore do të duhet të ulen për 10 dhe 15 përqind. 

Tregtarët me shumicë do të duhet ti ulin çmimet e pajisjeve shkollore për së paku 10 për qind, ndërsa në tregtinë me pakicë për së paku 15 përqind. 

“Me këtë vendim ulen çmimet e çantave, fletoreve, blloqeve, kolazheve, lapsave dhe stilolapsave, lapsave të drurit me ngjyra dhe ngjyra vaji, plastelinës, brumit për modelim, flomasterëve dhe shënuesve për tekst, temperave, akrilikëve, ngjyrave të ujit dhe furçave, vizoreve dhe materialeve didaktike, mprehësve dhe gomave, gërshërëve për fëmijë, panelëve dhe kutive lapsash, ngjitësve, kompasave, kalkulatorëve, letrës dekorative, fashikujve dhe çantave prej kartoni dhe materialeve të punimit”, - thuhet mes tjerash në vendimin e Qeverisë.

Gjithashtu tregtarët janë të obliguar që, përveç çmimit të ri të ulur të produkteve, ta publikojnë edhe çmimin e vjetër që ka qenë në fuqi më 01.06.2025, çmim i cili merret si çmim bazë mbi të cilin përcaktohet ulja, pastaj para hyrjes së objektit tregtar apo në një vend tjetër të dukshëm brenda shitores, duhet të jetë qartë dhe dukshëm i vendosur një pllakatë në format prej së paku A3, i cili do të përmbajë mbishkrimin “Më pak shpenzime, më shumë për ty”, i publikuar në ueb faqen e Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës, si dhe mbishkrimin: ZBRITJE E PAJISJEVE SHKOLLORE, prej së paku 15%.

Autoritetet kanë paralajmëruar që të mos bëhen përpjekje për ta anashkaluar vendimin, sepse Inspektorati Shtetëror i Tregut do të monitorojë në terren nëse ai po respektohet.

Me moton “Më pak shpenzime, më shumë për ty, kujdesemi!”, Qeveria thotë se është e përqendruar në marrjen e masave konkrete që do të përmirësojnë standardin e jetesës dhe situatën ekonomike. (Abibe Qaili, TVM2)