Dy vatra zjarri ende aktive në vend, autoritetet në gatishmëri të plotë

15.08.2025 16:30

Në 24 orët e fundit, në vend janë regjistruar...

Në 24 orët e fundit, në vend janë regjistruar gjithsej 29 vatra zjarri në ambiente të hapura, sipas të dhënave të publikuara sot në mëngjes nga Qendra për Menaxhim me Kriza.

Aktualisht, dy prej tyre vazhdojnë të jenë aktivë, një është vënë nën kontroll, ndërsa pjesa tjetër është shuar plotësisht.

Vatrat aktive janë në komunën e Makedonski Brodit dhe në komunën e Jegunocit. Në zonën e mbrojtur “Jasen” po digjet një sipërfaqe me pyll të përzier, ndërsa ndërmjet fshatrave Rogaçevë dhe Jazhincë janë djegur sipërfaqe të mëdha me kullosa.

Nga ana tjetër, nën kontroll është vënë zjarri që shpërtheu në rajonin e fshatrave Deviç dhe Greshnicë, po ashtu në komunën e Makedonski Brodit, ku është përfshirë kryesisht vegjetacion i ulët.

Autoritetet po vazhdojnë monitorimin e terrenit për të parandaluar rindezjen e mundshme të flakëve, ndërsa apelohet për kujdes të shtuar nga qytetarët, për shkak të rrezikut të lartë nga zjarret gjatë ditëve të nxehta të verës.