Takimi Trump-Putin, Ukraina dhe Bota me sy nga Alaska
Presidenti amerikan Donald Trump dhe ai rus Vladimir Putin....

Presidenti amerikan Donald Trump dhe ai rus Vladimir Putin, janë nisur drejt Alaskës për një takim kokë më kokë në të cilin synojnë gjetjen e një zgjidhjeje të mundshme për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Takimi do të mbahet në bazën ajrore pranë Anchorage. Presidenti amerikan beson në mundësinë e arritjes së paqes dhe nuk përjashtoi as mundësinë e një takimi trepalësh me pjesëmarrjen e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.
“Mendoj se do të jetë një takim i mirë, por më i rëndësishëm do të jetë i dyti që do të kemi me Putinin dhe Zelenskyn. Do të shohim çfarë do të ndodhë. Besoj se të dy do të bien dakord për paqe. Gjithçka që dua të bëj është të rezervoj tavolinën për takimin e ardhshëm, i cili duhet të ndodhë shumë shpejt pas këtij. Do të zbulojmë qëndrimin e secilit dhe do ta kuptoj brenda minutave të para nëse do të kemi një takim të mirë apo të keq. Nëse do të jetë i keq, do të mbyllet shpejtë.” – tha Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.
Presidenti rus Putin i ka vlerësuar të sinqerta përpjekjet e Uashingtonit për paqe në Ukrainë.
“Administrata aktuale amerikane po bën përpjekje mjaft energjike dhe të sinqerta për të ndaluar armiqësitë, për të ndalur krizën dhe për të arritur marrëveshje që janë në interes të të gjitha palëve të përfshira në këtë konflikt, me synim krijimin e kushteve afatgjata për paqe mes vendeve tona, në Evropë dhe në botë në tërësi, nëse në fazën e ardhshme arrijmë marrëveshje në fushën e kontrollit të armëve strategjike ofensive” -tha Presidenti i Ukrainës, Vlladimir Putin.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky dhe udhëheqësit evropianë, janë lënë jashtë këtyre bisedimeve. Ata janë të shqetësuar se marrëveshja e mundshme nga ky takim mund ta lërë Ukrainën në pozitë më të dobët ose t’i minojnë aftësitë e Evropës për ta mbështetur Ukrainën dhe për t’u përballur me kërcënimet e Rusisë. Por Zelenski e ka bërë të qartë se nuk është i gatshëm të pajtohet për dhënien e teritoreve.
Derisa Brukseli kërkon që Ukraina duhet të vendosë vetë për çështjen e integritetit territorial dhe garancitë e sigurisë.
“Ukraina duhet të vendosë për çështjen e integritetit territorial. Lidhur me garancitë e sigurisë, forcat ukrainase duhet të jenë të afta ta mbrojnë vendin e tyre dhe ne e përshëndesim faktin që presidenti amerikan deklaroi se SHBA do të marrë pjesë në këto garanci sigurie.” – deklaroi Zv.Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ariana Podesta.
Përpjekjet e deritanishme për t’i dhënë fund luftës nuk kanë pasur sukses, pavarësisht faktit se ishin të përfshira edhe SHBA-të. Kievi dhe Moska kanë zhvilluar tre raunde bisedimesh direkte në Stamboll, në të cilat pati dakordim vetëm për shkëmbim të robërve.
Presidenti amerikan dhe ai rus, janë takuar gjashtë herë gjatë mandatit të parë presidencial të Trump, ndërsa kjo është hera e parë që prej rikthimit të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë.
Por dy presidentët kanë folur në telefon të paktën pesë herë që nga janari, ndërsa i dërguari kryesor i Shtëpisë së Bardhë ka udhëtuar tri herë për t’u takuar me presidentin rus, në kuadër të përpjekjeve për ti dhënë fund Luftës në Ukrainë.
Por se a do të ketë sukses takimi në Alaska, mbetet të shihet pas takimit të sontëm. (Gyltene Sinani, TVM2)
