Shqipëri, përmirësohet situata me zjarret

15.08.2025 20:22

Pas zjarreve kritike që alarmuan Shqipërinë...

Pas zjarreve kritike që alarmuan Shqipërinë javën e fundit, situata paraqitet më e përmirësuar. Nga 28 vatra zjarri në total, vetëm 3 janë aktive dhe 6 po mbahen nën monitorim.

Ende po ndërhyhet për shuarjen e vatrave të zjarrit në Tërnovë të Bulqizës, fshatin Xathë të Fushë Arrëzit dhe në Velë të Mirditës, ku në këtë të fundit është shmangur rreziku për zonën e banuar.

Nën monitorim mbeten vatrat në malin me Gropa të Bulqizës, fshatrat Zhapokikë dhe Rehovë të Poliçanit, Velçan të Beratit, në malin e Bërzhitës, Damjan e Isufaj në kryeqytet.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 52 automjete zjarrfikëse dhe 740 forca operacionale, të ndihmuar nga Forcat e Armatosura me 323 forca ushtarake, 7 automjete zjarrfikëse dhe 1 helikopter. 

Morën pjesë 4 helikopterë dhe 1 avion “Canadair” nga Italia.

Policia ndërkohë identifikoi disa piromanë, të cilët u kapën në flagrancë duke ndezur zjarr. Në total, nga qershori janë identifikuar 140 autorë të dyshuar të zjarrvënieve, 49 prej të cilëve të arrestuar. (Luljeta Ndoka, TVM2)