Maqedoni
Dilemat rreth kandidatëve të pavarur, KShZ pritet të miratojë aktet nënligjore
16.08.2025 15:51
Çështjen e rregullores, udhëzimit për parashtrimin e listave të kandidatëve...

Çështjen e rregullores, udhëzimit për parashtrimin e listave të kandidatëve dhe disa akte të tjera që janë të nevojshme për mbajten e zgjedhjeve lokale, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve do t’i votojë deri të dielën, thonë për TVM2 nga ky organ, dhe, kjo do të bëhet në bazë të të drejtave që ua jep Kodi Zgjedhor.
“KSHZ deri më fund të javës do të mbajë mbledhje ku do të miratojë mbi 15 akte nënligjore, si rregullore, udhëzime dhe vendime për realizimin e aktiviteteve për zgjedhjet lokale, ndër të cilat edhe Udhëzimin për parashtrimin e listave të kandidatëve, sipas nenit 31, paragrafit 2 pika 2, të Kodit Zgjedhor, ku parashihet e drejta Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve të jep udhëzime dhe rekomandime për implementim të normave të Kodit Zgjedhor, me qëllim të implementimit të drejtë të këtyre normave.”- thonë për TVM2 nga KSHZ.
Në seancën e KSHZ-së të para një jave, menjëherë pas shpalljes së zgjedhjeve, u shfuqizua Rregullorja e KSHZ-së që rregullonte procedurën për mbledhjen e nënshkrimeve.
Sipas kreut të KSHZ-së, neni 60 i Kodit Zgjedhor garanton qartë të drejtën e pjesëmarrjes në zgjedhje si për partitë politike ashtu edhe për koalicionet, si dhe për grupet e votuesve, pra kandidatët e pavarur.
Ndërkohë, kryeministri Hristijan Mickoski ka thënë se përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë do të zhvillojnë një takim me ekspertë juridik, të cilët pretendojnë se pjesëmarrja e kandidatëve të pavarur në zgjedhje nuk mund të rregullohet me udhëzim të Komisionit Shtetëror Zgjedhor.
Pas takimit, siç ka paralëjmëruar kryeministri, do të ndërmerren hapa përkatës, të cilët do të jenë në përputhje me ligjet.
NERMIN MUALKU FEJZULLAHU
