Botë

Takim historik Tramp - Putin, ende s’ka marrëveshje për Ukrainën

16.08.2025 16:51

Takimi i parë mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin...

Takimi i parë mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin në Alaskë përfundoi pa një marrëveshje konkrete, por me një mirëkuptim të ndërsjellë për çështjen e Ukrainës.
 
Biseda, e cila zgjati dy orë e gjysmë, nga të dyja palët u vlerësua si produktive. Megjithatë, marrëveshje formale për armëpushim në Ukrainë nuk u arrit.
 
“Kishim shumë pika për të cilat u dakorduam. Bëmë përparim, por marrëveshje nuk ka”, u shpreh presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
 
Nga ana tjetër, Putin akuzoi Evropën se qëllimisht po e zvarrit krizën në Ukrainë dhe kërkoi nga Kievi të bëjë lëshime serioze. 
 
“Arritëm të kuptohemi për Ukrainën”, theksoi presidenti i Rusisë Vladimir Putin.
 
Për Ukrainën, takimi ishte një zhgënjim i madh, pasi presidenti Volodymyr Zelensky nuk ishte pjesë e tij. Ai reagoi duke theksuar se askush nuk ka të drejtë të negociojë për të ardhmen e Ukrainës, pa Ukrainën.
 
Ai shtoi se pas takimit kishte biseduar në telefon me Trump, i cili e kishte siguruar se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj aleancës me Ukrainën. Zelensky gjithashtu paralajmëroi një takim me homologun amerikan në Uashington, të hënën.
 
Ekspertët e vlerësuan takimin si inkurajues, por jo mjaftueshëm të qartë.  
 
ARMEND MURSELI