Maqedoni

Zjarri në Tetovë vazhdon të jetë aktiv, Ali: Po intervenohet me të gjitha mjetet

16.08.2025 14:54

Zjarri që pasditen e djeshme u vu nën kontroll në zonën e fshatrave Rogçevë dhe Jazhincë të Tetovës...

Zjarri që pasditen e djeshme u vu nën kontroll në zonën e fshatrave Rogçevë dhe Jazhincë të Tetovës, është riaktivizuar. Qendra për Menaxhim me Kriza njoftoi se mbrëmë, rreth orës 22:30, flakët janë ndezur sërish, ndërsa sot situata ka mbetur e pandryshuar, zjarri vazhdon të jetë aktiv. 
 
“Momentalisht në territorin e RMV-së kemi aktiv vetëm dy zjarre edhe atë në parkun nacional Jasen dhe në komunën e Jegunovcës ndërmjet fshatit Rogaçevë dhe Jazhincë. Këtu zjarri është me përmasa pak më të mëdha sepse është përhapur edhe në pjesën e Shkupit afër Vorcës dhe Radushës, gjithashtu edhe nga pjesa e Kosovës. Këtu momentalisht po intervenon aeroplani i Drejtoris për Mbrojtje dhe Shpëtim, helikopteri i MPB-së, zjarrfiksat nga Qyteti i Shkupit, Velesi, Gostivari dhe Kumanovës për ndihmë, gjithashtu janë edhe 8 automjete të drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim ku momentalisht po intervenohet në të gjithë territorin që të vihet zjarri nën kontroll”, u shpreh drejtori i QMK-së, Muhamed Ali.
 
Ai shtoi se, pavarësisht masave parandaluese dhe apelimeve të vazhdueshme të institucioneve, rastet e zjarreve të shkaktuara nga faktori njeri po rriten çdo ditë.
 
“99 përqind është faktori njeri i të gjitha zjarreve, edhe ky zjarr është nga faktori njeri, ka pas dy të arrestuar sipas MPB-së për zjarrin në Tetovë”, theksoi Ali.
 
Nga Qendra për Menaxhim me Kriza apelojnë për më shumë kujdes dhe respektim të masave, me qëllim të evitimit dhe parandalimit të zjarrëve të reja të cilat në këtë periudhë verore po shkaktojnë dëme të mëdha mbi natyrën dhe shëndetin e qytetarëve. 
 
Maqedonia e Veriut prej javësh po përballet me një valë të rrezikshme zjarresh, të nxitura nga temperaturat e larta, thatësia dhe erërat e forta. Dhjetëra vatra janë regjistruar në disa rajone të vendit, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe rrezik për zonat e banuara.
 
ARMEND MURSELI