Maqedoni
Mori 10 mijë euro ryshfet për ndikim te gjykata, PTHP propozon paraburgim ndaj një personi
16.08.2025 15:13
Prokuroria ka propozuar paraburgim për një 59-vjeçar nga Shkupi...

Prokuroria ka propozuar paraburgim për një 59-vjeçar nga Shkupi, i identifikuar me inicialet P.G. i cili dyshohet se ka marrë 10 mijë euro për të ushtruar ndikim te gjyqtarët në një rast gjyqësor në Gjykatën Civile dhe në Gjykatën e Apelit në Shkup.
Sipas Prokurorisë dhe Ministrisë së Brendshme, i dyshuari, i cili vetëprezantohej si person i afërt me gjyqtarët ka marrë paratë në dy këste gjatë periudhës prill dhe gusht, nga njëra prej palëve të përfshira në procesin gjyqësor.
Rasti është denoncuar nga drejtuesi i një personi juridik, palë në proces, i cili dyshonte se pala kundërshtare po ushtronte ndikim te gjyqtarët duke dhënë ryshfet për vendime në favor të tyre.
“Dëshmitari që e raportoi rastin, drejtues i një personi juridik në një proces civil filloi të merrte informacione se pala kundërshtare po ushtronte ndikim serioz te gjyqtarët që vendosnin në shkallën e parë dhe të dytë, duke ofruar ryshfet për vendime në favor të tyre. Për të verifikuar këto informacione, dëshmitari kontaktoi një ish-gjyqtar të njohur, i cili i dha kontaktin e të dyshuarit, i cili iu prezantua si “person që njeh mirë gjendjen në gjykata dhe është i afërt me gjyqtarët e Gjykatës së Apelit në Shkup”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Dëshmitari dhe vëllai i tij, sipas Prokurorisë, u takuan me të dyshuarin, i cili u kërkoi drejtpërdrejt 16 mijë euro për të përfunduar kontestin në favor të personit juridik kompanisë familjare të dëshmitarit.
“I dyshuari i kishte siguruar se pala tjetër kishte ofruar shuma edhe më të larta, por gjyqtarët nuk donin të merrnin vendim për çështje që nuk bazoheshin në ligj. Duke marrë parasysh se dëshmitari nuk mund të siguronte shumën e plotë menjëherë, u ra dakord që pagesa të bëhej në tre këste. Më 30 prill, dëshmitari, duke ndjerë se nuk kishte tjetër zgjidhje, i dha të dyshuarit 5.000 euro, dhe gjatë gjithë periudhës mbetën në komunikim për zhvillimet e procesit gjyqësor. Në këtë periudhë, dëshmitari vendosi të raportojë rastin e influencës së paligjshme. Në kohën e pagesës së dytë prej 5.000 eurosh, i dyshuari u arrestua menjëherë pas pranimit të parave”, njofton Prokuroria.
Prokurori Publik sot i ka dorëzuar gjykatësit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore të Shkupit propozim për caktimin e paraburgimit për të dyshuarin, duke vlerësuar se janë plotësuar kushtet ligjore.
ARMEND MURSELI
