Maqedoni
Largimi i PDSh-së dhe PDT-së nga Fronti, VLEN: BDI po përjeton erozion
16.08.2025 16:10
Pas deklarimeve të Kryetarit të Partisë Demokratike Shqiptare...

Pas deklarimeve të Kryetarit të Partisë Demokratike Shqiptare, se nuk mund të ketë kurfarë marrëveshje me Bashkimin Demokratik për Integrim për sa I përket Zgjedhjeve Lokale, ose ndonjë bashkëpunim tjetër, me reagim kanë dalë nga VLEN të cilët konsiderojnë se me largimin e partive politike pjesë e Frontit Europian, ky Front po shpërbëhet.
“BDI po përjeton erozionin më të madh politik që nga formimi i ashtuquajturit “Front Europian”. Dy nga partitë më të rëndësishme që në zgjedhjet parlamentare ishin pjesë e këtij koalicioni, Partia Demokratike e Turqëve (PDT) dhe Partia Demokratike e Shqiptarëve (PDSH) tashmë nuk janë më me BDI-në. Më 14 gusht PDT njoftoi se po largohet nga koalicioni “Fronti Europian”, vetëm një ditë më vonë, më 15 gusht, PDSH publikisht bëri të ditur se negociatat me Ali Ahmetin kanë dështuar dhe se PDSH nuk do të garojë së bashku me BDI-në. Me këtë, edhe një nga partitë më të vjetra shqiptare vendosi të largohet nga skena politike e BDI-së. Këto janë fakte që tregojnë se BDI po humb mbështetjen e partive që e mbajtën në zgjedhjet parlamentare. BDI prej kohësh e ka humbur besueshmërinë tek qytetarët”, thuhet në komunikatën e VLEN-it.
BDI: Aleanca kombëtare për integrim po zgjerohet
Por, nga Bashkimi Demokratik për Integrim i janë kundërpërgjigjur këtyre akuza duke thekësuar se BDI është në kualicion të vazhdueshëm me popullin, ndërsa për sa i përket largimeve ato janë evidente tek VLEN dhe te Izet Mexhiti, ku bashkëpunëtorët më të afërt po e braktisin Izet Mexhitin dhe VLEN-in, ndërsa Populli kah kohë që e ka braktisur.
“VLEN-i dhe Izet Mexhiti janë në panik për shkak të humbjes së pashmangshme në zgjedhjet lokale, pas largimeve të përditshme të strukturave të tyre në të gjitha komunat. Kjo situatë është rezultat i mashtrimeve ndaj shqiptarëve, përfitimeve personale dhe braktisjes së pozicioneve kombëtare për interesa të ngushta të Mexhitit dhe rrethit të tij të ngushtë. Besëlidhja - Aleanca Kombëtare për Integrim po zgjerohet, populli është me të dhe çdo ditë rritet në sondazhe të publikuara nga institucione kredibile. Edhe ata i dinë rezultatet. Pikërisht për këtë arsye, VLEN-i përpiqet çdo ditë të sulmojë besëlidhjen tonë, me mbështetjen e propagandës pro-serbe të mikut të tyre Stoillkoviq, por pa sukses”, thuhet në komunikatën e BDI-së.
Akuzat e ndërsjella politike mes pushtetit dhe opzitës shqiptare janë thelluar edhe më shumë në periudhë para zgjedhjeve lokale që pritet të mbahen në vjeshtë.
FITIM KRYEZIU
