Botë

Post samiti ShBA-Rusi: Të hënën, Trumpi pret Zelenskin në uashington

16.08.2025 17:35

Presidenti amerikan, Donald Trump e ka zhvilluar një “bisedë të gjatë telefonike”...

Presidenti amerikan, Donald Trump e ka zhvilluar një “bisedë të gjatë telefonike” me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka bërë të ditur Shtëpia e Bardhë.
 
Zelensky, në anën tjetër, ka thënë se i është bërë ftesë për vizitë të hënën në Uashington, për ta takuar Trumpin.
 
Sipas zëdhënëses, Karoline Leavitt, Trump e ka telefonuar Zelenskyn sa ka qenë në aeroplan gjatë kthimit në Uashington, pas takimit të zhvilluar me presidentin rus, Vladimir Putin në Alaskë, i cili nuk është përmbyllur me armëpushim në Ukrainë.
 
Më vonë, Trump e ka konfirmuar bisedën edhe me liderët tjerë.
 
“Jemi pajtuar të gjithë që mënyra më e mirë për t’i dhënë fund luftës së tmerrshme mes Rusisë dhe Ukrainës është përmes një marrëveshjeje direkte për paqe, dhe jo përmes një pakti për armëpushim, i cili shpesh nuk zbatohet”.
 
Ai ka shtuar se nëse “gjithçka funksionon” pasi të takohet me Zelenskyn, atëherë do ta organizojë një takim me presidentin Putin.